Kriza politike thellon krizën sociale

Të dhënat e agjencive vendore dhe ndërkombëtare deklarojnë se niveli i varfërisë në Kosovë prek rreth 40 për qind të qytetarëve.

Lajme

24/01/2016 08:18

Shumica prej tyre janë të papunë dhe të diplomuar, ndërsa llogaritet se në vit 25 deri në 30 mijë të rinj janë të aftë për punë.

Gjendja e rëndë sociale po shtyn kosovarët që të braktisin vendin. Në kërkim të një jete më të mirë për shkollim dhe shërbime shëndetësore kualitative për fëmijët e tyre, janë familjet e reja kosovare ato që duan të ikin nga vendi, duke u orientuar për ndonjë vizë tek ambasadat e vendeve perëndimore.

Sipas një ankete të gazetës, nëpër barnatoret e Prishtinës afër QKUK-së, në deklarimet e tyre punonjësit konfirmojnë se 30 për qind e klientëve nuk kanë të holla të blejnë barnat.

Disa zgjedhin nga recetat e mjekut të blejnë vetëm ato barna pa të cilat nuk bën fare siç janë ato që ndalin dhimbjen kurse të tjerat nuk i marrin…

Në sektorin e arsimit sipas përfaqësuesve të sindikatës, gjendja po rëndohet pasi që një pjesë e mësimdhënësve që vuajnë nga sëmundje të ndryshme dalin para nxënësve në atë gjendje në pamundësi për të marrë pensionin e parakohshëm, ligj ky që nuk ka kaluar ende në Kuvend.

Një mësimdhënës në Ferizaj vitin e kaluar, sipas të dhënave të Sindikatës së Arsimit, ka ndërruar jetë para nxënësve në klasë.

Kriza institucionale e krijuar tash e sa muaj në Kuvendin e Kosovës ka lënë pa miratuar shumë ligje që lidhen me mirëqenien e qytetarëve./zeri