Kriza në Ukrainë, Qeverisë i kërkohet që ta trajtojë seriozisht çështjen e krizës ushqimore

Lajme

23/02/2022 11:32

Instituti “Musine Koklari” përmes një komunikate për media i kanë bërë ftesë Qeverisë së Kosovës që ta trajtojë seriozisht mundësinë e një krize ushqimore në vend, pas situatës së krijuar mes Rusisë dhe Ukrainës dhe sanksioneve që janë vendosur ndaj Moskës.

Nga ky Institut thonë se Rusia dhe Ukraina përbëjnë rreth 29% të prodhimit dhe eksportit të grurit në tregun global, dhe thonë se një përshkallëzim i mundshëm i konfliktit do të mund të çonte në rritje të çmimeve, siç kishte ndodhur në vitin 2014.

Reagimi i plotë:

QEVERIA E KOSOVËS TA TRAJTOJË SERIOZISHT MUNDËSINË E KRIZËS USHQIMORE

Duke pasur parasysh situatën aktuale mes Rusisë dhe Ukrainës është me rëndësi t’i kushtohet vëmendje rrethanave potenciale të cilat mund të krijohen nga përshkallëzimi i krizës. Së bashku, Rusia dhe Ukraina përbëjnë rreth 29% të prodhimit dhe eksportit të grurit në tregun global. Ukraina është prodhuesja më e madhe e grurit në kontinentin e Evropës dhe është prodhuese e madhe e misrit dhe vajit të lulediellit. Po ashtu, shumë vende evropiane importojnë gaz natyror nga Rusia.

Një prodhim dhe eksport aq i madh i grurit si produkt bazë ushqimor dhe i gazit natyror do të ndikohej pashmangshëm në rast të përshkallëzimit të krizës në Ukrainë dhe pas vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë. Nëse kujtojmë vitin 2014, çmimi i grurit në tregun ndërkombëtar ishte rritur për 20% në kohën e pushtimit të Krimesë nga Rusia.

Përshkallëzimi eventual i krizës atje do ta cenojë seriozisht sigurinë globale të ushqimit. Përkundër angazhimit deklarativ të shteteve perëndimore që do të punojnë së bashku për t’u siguruar se ky cenim nuk do të ndodh, gjasat janë reale që sasia e mangët do ta ngris çmimin e artikujve ushqimor globalisht. Pra që krizës energjetike që nuk po përfundon mund t’i shtohet edhe kriza e ushqimit.

Shumica e vendeve të Lindjes së Mesme, Kinës dhe Afrikës Veriore importojnë dhe varen nga prodhimi i grurit, misrit dhe vajit të lulediellit nga Rusia dhe Ukraina. Në rast mungese, kërkesat do të drejtohen te vendet e tjera dhe kjo pashmangshëm do të ndikonte në rritjen e çmimit të këtyre produkteve, në masë edhe të energjisë në Evropë.

Ndonëse e ardhmja mbetet e paqartë është tejet e rëndësishme që Qeveria e Kosovës ta trajtojë seriozisht mundësinë e krizës eventuale. Po ashtu është e nevojshme të njoftohen drejtë dhe saktë qytetarët, në mënyrë që të shmangen situatat e rrezikshme të lajmeve të rreme dhe të panikut që mund të shkaktojnë paqartësi.

Nëse i marrim parasysh edhe pasojat e pandemisë së Covid-19 dhe rritjes së çmimeve, që tashmë ka ndodhur, si për produkte të ushqimit ashtu edhe për energji, trajtim urgjent i kësaj situate është tejet i rëndësishëm.