Kriza institucionale në Kosovë lë pa mandat Avokatin e Popullit, preken edhe agjencitë e pavarura
Institucioni i Avokatit të Popullit është një nga institucionet e pavarura që aktualisht funksionon me anëtarë të cilëve u ka skaduar mandati, përfshirë edhe vetë Avokatin e Popullit. Më 10 prill, Kuvendi i Kosovës shpalli konkursin për pozitën e Avokatit të Popullit, por me shpërndarjen e Kuvendit kjo çështje kthehet në pikën zero, siç pohojnë…
Lajme
Institucioni i Avokatit të Popullit është një nga institucionet e pavarura që aktualisht funksionon me anëtarë të cilëve u ka skaduar mandati, përfshirë edhe vetë Avokatin e Popullit.
Më 10 prill, Kuvendi i Kosovës shpalli konkursin për pozitën e Avokatit të Popullit, por me shpërndarjen e Kuvendit kjo çështje kthehet në pikën zero, siç pohojnë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).
Sipas IKD-së, përveç institucionit të Avokatit të Popullit, edhe një numër agjencish të tjera të pavarura janë prekur nga kriza institucionale, ku disa prej tyre janë jofunksionale.
“Nga analizat tona kemi vërejtur se nga 20 agjenci të pavarura, 5 prej tyre udhëhiqen nga ushtrues detyre. Një agjenci nuk ka bord funksional, ndërsa që nga shtatori Avokatit të Popullit i ka skaduar mandati. Kjo pozitë u hap më 10 prill, por për shkak të shpërbërjes së Kuvendit, procesi do të anulohet dhe nuk do të mund të procedohet. Kur pozitat udhëhiqen nga ushtrues detyre, mund të ketë ndikime specifike politike që e pamundësojnë zbatimin e duhur të detyrave. Nëse vazhdon mungesa e stabilitetit institucional, kjo do të ndikojë në funksionimin e mirëfilltë të këtyre agjencive”, thuhet nga IKD.
Në mungesë të dy anëtarëve, edhe Gjykata Kushtetuese është duke funksionuar, pasi Kuvendi i Kosovës dështoi t’i plotësojë këto pozita, duke qenë se asnjëri nga kandidatët nuk mori votat e mjaftueshme për t’u propozuar si gjyqtar.
Avokati Ardian Bajraktari paralajmëron se numri i institucioneve jofunksionale mund të rritet si pasojë e krizave të njëpasnjëshme politike.
“Pavarësisht faktit që pati zgjedhje të anëtarëve të KPM-së dhe të RTK-së, ende ka një numër institucionesh që janë gjysmë funksionale ose jofunksionale. Kjo dëshmon dështimin e politikës dhe të Kuvendit në përmbushjen e detyrimeve të tyre, si dhe është pasojë e krizave të vazhdueshme politike. Në tërësi, numri i institucioneve jofunksionale mund të rritet”, tha Bajraktari për RTV21.
Përveç institucioneve të pavarura, edhe një numër ministrish janë duke funksionuar me ushtrues detyre.
“Janë 7 ministri me ushtrues detyre, ndërsa një numër i madh i rasteve përfshin bartje nga një pozitë në tjetrën, deri te pozita e sekretarit të përgjithshëm. Ka raste kur kjo tejkalon afatin ligjor prej dy vitesh. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nuk ka pasur sekretar që nga viti 2021 dhe vazhdon të mbulohet me ushtrues detyre.”
Ndryshe nga institucionet e tjera, në prag të shpërndarjes së Kuvendit u zgjodhën anëtarët e KPM-së dhe të RTK-së, proces i cili nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe shoqëria civile u cilësua si i ndikuar nga vendimet e partisë në pushtet dhe si një proces i komprometuar.