Kriza është e mundshme

Xhavit Haliti mendon se tash nuk është koha për Qeveri Teknike. Thotë se së pari duhet bërë reforma, e pastaj zgjedhjet. Por, ai nuk e mohon mundësinë e krizës institucionale, nëse këtë e do opozita.

Lajme

18/11/2013 06:43

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, mendon se tani nuk është koha për krijimin e një Qeverie Teknike.

Sidoqoftë, në një intervistë për lajmi.net, ai e pranon se një krizë institucionale mund të shkaktohet nga opozita, nëse ky është synimi i saj.

Por, tërheq vërejtjen për dëmin që mund t’i shkaktohet Kosovës dhe interesave të saj.

“Shoh mundësi, nëse ka interesim, për të krijuar krizë institucionale”.

“Mundësitë janë aktualisht, sepse deputetët kanë lëvizur nga koalicioni, kanë shkuar te tjerët, ose kanë shpallur shkëputje – sa janë 3 a 4 deputetë, dhe mundësia është për t’u krijuar krizë”.

“Por, mendoj se të gjithë duhet të jenë të përgjegjshëm në këtë rast, secili prej nesh, që të mos e dëmtojmë Kosovën, të mos i dëmtojmë interesat e Kosovës”.

“Kriza qeveritare është krejt e mundshme në qoftë se opozita organizohet, ose në qoftë se ekziston një dëshirë e saj për të rrëzuar Qeverinë”.

Ideja për krijimin e një Qeverie Teknike ka dalë nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili ka deklaruar në një intervistë për “Zëri” se në këtë fazë të zhvillimeve politike në Kosovë, zgjidhja më e mirë do të ishte krijimi i një Qeverie Teknike.

Xhavit Haliti thotë se respekton mendimin e secilit, po tani ai nuk sheh arsye për shkuarje në zgjedhje të parakohshme.

“Po tani… unë jam pjesë e PDK’së, mua s’më takon të kërkoj Qeveri Teknike. Ne jemi në Qeveri”.

“Ai (Jakup Krasniqi) po e thotë një mendim të vetin dhe unë kam respekt, jo vetëm për mendimin e tij, por për mendimin e secilit”.

“Qeveria Teknike bëhet kur ka krizë, para zgjedhjeve zakonisht, kur nuk i besohet Qeverisë aktuale, ose Qeverive në fjalë. Por, tani unë nuk e di, me njëfarë mënyre ka një krizë parlamentare, por nuk e besoj që është koha e Qeverive Teknike”.

“Ne duhet të punojmë për të bërë Ligjin e Zgjedhjeve, më pastaj të shohim se kur do të shpallen zgjedhjet”.

Xhavit Haliti beson se koalicioni qeveritar i ka numrat në Kuvendin e Kosovës, por thotë se shpeshherë gjatë mbajtjes së seancave po ballafaqohet me mungesë të deputetëve, më shumë ndoshta nga mosorganizimi i duhur, sipas tij.

“Si koalicion po besoj që i ka numrat. Në disa seanca ka pasur, do ta quaja, një lloj krize, më shumë e mosorganizimit, sesa çështje numrash”.

“Koalicioni, në njëfarë mënyre, nuk është i kompletuar në Parlament”.

“Ne i kemi numrat, në qoftë se koalicioni funksionon. Nëse nuk funksionon, gjë që unë s’e di, atëherë është një problem tjetër”, thotë Xhavit Haliti për lajmi.net.