Kriza energjetike: Qeveria thotë se po harton strategji për vitin 2022-2031

Qëndroi dhjetë vite në opozitë, por partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka përgjigje të gatshme se si të përballët më shumicën e problematikave në Kosovë. Kështu po ndodh edhe më çështjen e energjetikës.

Lajme

26/11/2021 19:29

Kosova nuk do të ketë rrymë të mjaftueshme për furnizim gjatë këtij sezoni dimëror. Kjo, ngase kapacitetet prodhuese janë më të vogla sesa kërkesat në treg, shkruan lajmi.net.

Programi i Qeverisë së Republikës së Kosovës i prezantuar në fillim të mandatit qeverisës për periudhën 2021 -2025 që përmban 56 faqe, në rreth gjysmë faqe ka paraparë dhe strategjinë për energjinë dhe miniera.

Ministria e Ekonomisë është institucioni mbi të cilën ka rënë barra e implementimit të strategjisë së Qeverisë për çështjet e energjetikës.

Në këtë institucion e pranojnë që nuk kanë një plan aktual të punës për të rritur apo rigjeneruar kapacitete elektrike, apo edhe për të kapërcyer krizën e sivjetmë të energjisë. Kanë thënë se po merren me hartim strategjish.

“Qeveria e Kosovës, më saktësisht Ministria e Ekonomisë është duke e hartuar Strategjinë e Energjisë 2022 – 2031. Grupi punues i Strategjisë përbëhet nga Ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë të cilët janë duke studiuar skenarët fizibil, financiarisht të përballueshëm dhe në përputhje me marrëveshjet dhe qëndrimet ndërkombëtare për ndalim të ngrohjes globale dhe prodhimit e konsumumit të energjisë së pastërt.

Pra, me përfundimin e Strategjisë së Energjisë do të kemi konkretizim të vendimeve sa i përket furnizimit të qëndrueshëm me energji”, ka bërë të ditur Ministria e Ekonomisë për lajmi.net.

Sigurimi i energjisë për periudhën e pikut në Kosovë, përveç prodhimit vendor bëhet edhe përmes importeve, ndërsa në rast të rënieve të njësive gjeneruese kjo realizohet përmes importeve emergjente ose ndonjëherë edhe me aplikimin e reduktimeve si masë e fundit për të mbajtur sistemin në balancë.

Kriza globale energjetike tashmë ka goditur konsumatorët kosovarë vetfurnizues. Njëri nga ta është Ferronikeli, i cili ka mbi 900 punëtorë. Për shkak të krizës energjetike është paralajmëruar shtrenjtim i energjisë duke filluar nga marsi i vitit të ardhshëm.

Fatura e energjisë elektrike për muajin prill të vitit të ardhshëm, qytetarëve të Kosovës do të mund t’iu vijë 30 deri në 40 për qind më e lartë se aktualisht. Kriza globale energjetike ka filluar të shtrihet edhe në Kosovë. Çmimet astronomike në nivel botëror, sidomos në Evropë pritet të rrisin cmimet e energjisë elektrike edhe në vendin tonë. Këtë e ka paralajmëruar edhe Luan Morina, Drejtor i Departamentit të Energjisë në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, në debatin e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë lidhur me Sigurinë e Furnizimit me Energji Elektrike.

“Tarifat aktuale të energjisë elektrike nuk i kanë parapa këtë rritje të çmimeve në tregjet botërore. Pra, ekziston një dallim i madh ndërmjet çmimeve të parapara dhe atyre aktuale. Gjithsesi që duhet të reflektohet kjo, pasi ne jemi ata si qytetarë që duhet ta paguajmë atë kosto tash apo përmes një procesi të rregullt tarifor”, tha Morina.

Ai këto komente i beri sot gjate një tryeze te organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane.

Ndërkohë, OJQ-të të cilat merren problematikat e energjetikës, kanë kokrruar plan të shpejtë për bizneset dhe ekonomitë familjare. /Lajmi.net/