Kritiku i Kremlinit lirohet nga burgu, nuk e tremb vrasja e opozitarit Nemtsov

Kritiku i Kremlinit, krye-opozitari rus, Alexei Navalny, të premten është liruar nga burgu në Moskë, pas vuajtjes së një dënim 15-ditor për shpërndarjen e fletushkave që bënin thirrje për organizimin e një proteste kundër keqqeverisjes në Rusi, që si fajtor etiketohet presidenti Vladimir Putin.

Bota

06/03/2015 12:38

Kreu i opozitës ruse, Navalny, u larguar në mëngjes nga një qendër burgimi në Moskë, një javë pas vrasjes së një tjetër figure të njohur opozitare, Boris Nemtsov, i cili u ekzekutua nga një person i panjohur mbi një urë, pak metra larg mureve që rrethojnë institucionet shtetërore, Kremlinin.

Protesta kundër keqqeverisjes u shndërrua në marshim zie, në përkujtim të opozitarit të vrarë. Ajo u mbajt më 1 mars, por Navalny nuk u lirua të marrë pjesë as në marsh dhe as në funeralin e opozitarit Nemtsov, i cili u bë të hënën që kaloi.

Navalny, pas largimit nga burgu, ka thënë se edhe ky rast, edhe ato paraprake, kundër tij, janë të motivuara politikisht, njofton BBC, raporton lajmi.net.

Vitin e kaluar, Navalny dhe vëllai i tij, Oleg, u gjetën fajtorë për shmangie të tatimit të dy kompanive të tyre, që sipas gjykatës dëmtuan arkën e shtetit për gati gjysmë milioni dollarë. Olegut iu dha një dënim tre vjet e gjysmë burg, ndërsa Navalny mori një dënim me kusht.

Duke folur me gazetarët, pas lirimit të tij të premten, Navalny u zotua të vazhdojë punën e tij me gjithë kërcënimet, akuzat dhe vrasjen e opozitarit Nemtsov, që sipas aleatëve të tij u vlerësua si vrasje politike.

“Aktiviteti ynë politik nuk do të ndryshojë, nuk do të zvogëlohen përpjekjet tona, nuk do të bëjmë asnjë hap prapa. Akti terrorist i kryer ndaj Nemtsov nuk e ka arritur qëllimin, sepse nuk e trembin askënd, nuk më tremb mua dhe as bashkëpunëtorët e mi për të ndryshuar Rusinë, për ta bërë një vend demokratik”.