Kriteret për vizat i kemi përmbushur pikë për pikë!
Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, pikë për pikë, ka deklaruar ministrja Vlora Çitaku. E zhgënjyer me Komisionin Europian, ajo ka kërkuar nga komisionerja Malmstrom të tregojë publikisht se cili kriter nuk është plotësuar.
Lajme
Gjatë një ligjërate të mbajtur të martën në Kolegjin UBT, ministrja e Integrimeve Evropiane, Çitaku shprehi zhgënjimin e saj ndaj Komisionit Europian, për tempon e ulët në procesin e liberalizimit të Kosovës. Ajo tha se të është lajm i keq që KE-ja nuk ka dërguar misionet e saj për vlerësim.
“Unë do ët shpreh para jush edhe publikisht zhgënjimin tim me tempon e ulët dhe të ngadaltë me të cilën Komisioni Europian po i përgjigjet entuziazmit, përkushtimit dhe punës që kanë bërë të gjitha institucionet e Kosovës pa dallim, në përmbushjen e kritereve në Udhërrëfyes”.
“Kanë qenë 101 kritere, dhe unë e them me përgjegjësi që secila prej tyre pikë për pikë është përmbushur. Lajmi i keq është që Komisioni Europian nuk i ka dërguar ende misionet për të vlerësuar përmbushjen e kritereve”.
Ministrja Çitaku tha se ka qenë e befasuar nga letra e komisioneres Cecilia Malmstrom dhe e pyet atë personalisht se cili kriter nuk është plotësuar.
Ajo tha se Kosova nuk kërkon rrugë të shkurtër për të marrë liberalizimin as nuk kërkon që kjo të bëhet në formë të shpërblimit, por se Kosova kërkon bashkëpunim me BE-në.
“Unë të them të drejtën u befasova pak nga një letër që Komisonerja Cecilia Malmstrom i kishte dërguar eurodeputeteve Fajon dhe Lunacek, të cilat kërkonin përshpejtimin e procesit”.
“Malmstrom thotë aty se vizat do të hiqen kur të përmbushen kriteret. Unë publikisht e pyes atë, cili kriter konkretisht nuk është përmbushur?”
“Do të dërgoj edhe një letër për të kërkuar sqarime”.
“Ne nuk kërkojmë shpresa nga BE-ja. Nga BE-ja kërkojmë bashkëveprim, kërkojmë dinamizim, nuk kërkojmë as rrugë të shkurtër, asnjëherë nuk e kemi kërkuar liberalizimin e vizave apo MSA-në si shpërblim për konstruktivitetin që kemi dëshmuar në dialogun me Serbinë”.
“Ne liberalizimin e vizave dhe perspektivën konkrete evropiane e kërkojmë për shkak të përmbushjes së kritereve në terren”.
Duke folur për procesin e MSA-së, Çitaku tha se Kosova sot nuk është e gatshme të anëtarësohet në BE, por është e gatshme që të nënshkruaj marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.
Ajo tha se MSA do ta ankorojë Kosovën drejt rrugës së saj të anëtarësimit në BE.
“Nëse ju më pyesni mua sot a është Kosova sot e gatshme të jetë anëtare e BE-së, unë me plotë gojë them jo. Por, a është Kosova e gatshme të nënshkruaj marrëveshjen e MSA-së dhe të kalojë në fazën tjetër më të avancuar drejt anëtarësim. Absolutisht po”.
“Kosova është në fazën përfundimtare të negociatave për marrëveshjen e MSA-së. MSA do ta ankorojë Kosovën fuqishëm drejt rrugës së saj në anëtarësimin në BE”.
Ministrja Çitaku thotë se integrimi europain duhet të ndodhë në Kosovë sepse sipas saj ky proces nuk është thjesht negocim që zhvillohet në Bruksel apo gjetiu.
“Sot ne jemi para një epoke të re, epokës së integrimit evropian të Kosovës. Kosova fuqishëm beson se evropianizimi është mënyra e vetme për të ecur përpara në përmirësimin e standardit të jetës dhe mënyra e vetme për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien për të gjithë”.
“Procesi i anëtarësimit në BE ka sjellë një transformim të shpejt të marrëdhënieve shtet qytetarë, reformë të qëndrueshme të administratës dhe një cikël të zhvillimit ekonomik”.
“Integrimi evropian i Kosovës nuk është proces negocimi që zhvillohet në Bruksel, por është proces i brendshëm transformimi. Integrimi evropian i Kosovës arrihet me punë në Prishtinë, Pejë, Prizren, Gjakovë e Skenderaj”.