Kristofer Kolombo: Zbuluesi i Kosovës

Kolombo nuk diti kah po shkon, nuk diti as ku mbërriti, dhe të gjitha i bëri në llogaritë e tjetërkujt. Mësimi i tij është shumë aktual në Kosovë.

Opinion

14/02/2014 10:40

Teoria politike (besa, edhe praktika) në fuqi në Kosovë është ajo që tash e shumë shekuj njihet si Teoria e Kristofer Kolombos (Christopher Columbus).

E pra, Kolombo ia mësyu të gjejë rrugën e shkurtër detare për Indi. Këtë ai synonte ta bëjë duke udhëtuar, me tri anijet e tij, kah Perëndimi. E tëra dukej fare e logjikshme. Por, këtu nuk bëhej fjalë për Logjikën. Por, për Gjeografinë.

Në fund doli që Kristofer Kolombo nuk diti kah po shkon, nuk diti as ku mbërriti, dhe të gjitha i bëri në llogaritë e tjetërkujt.

Vështirë që mund të mëdyshet aktualiteti i Kolombos në Kosovë.

Është fare lehtë të mbërrihet tek disa konkludime që madje kanë vlerën e aksiomave matematikore: Nuk kanë nevojë të vërtetohen fare.

Së pari pra, Qeveria e sotme e Kosovës nuk gëzon përkrahjen minimale parlamentare prej 61 deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Si e tillë, ajo nuk ka legjitimitetin e duhur institucional.

Së dyti, ky është gjithsesi vit zgjedhor, për shkak të detyrimit kushtetues, prandaj zgjedhjet gjithsesi do të mbahen në muajt vijues.

Së treti, dhe ky mbase është përfundimi më problematik për politikën e sotme kosovare, gjendja aktuale politike në vend është e paqëndrueshme.

Pra, Qeveria nuk e ka shumicën, Kuvendi është shndërruar në Hyde Park, përditë hapen temat në Kuvend dhe në politikë që kërcënojnë stabilitetin e vendit, ndërhyrja e politikës kosovare kudo, në arsim, ekonomi, gjyqësi, sa vjen e forcohet, po na thonë që kanceri po na vjen prej katër anëve, prej ujit, ajrit, ngrohjes dhe ftohjes, po marrim vesh që gjasat për të udhëtuar pa viza në Evropë janë kurrfare, po na alarmojnë, kush po mbërrin i pari, që Sigurimi Shtetëror i ish-Jugosllavisë (SDB a UDB, si njihet në popull), ka qasjen gjithëpërfshirëse të kancerit të sipërpërmendur (pra, është kudo dhe në çdo kohë), etj. etj.

Ky përshkrim, gjithsesi është i mangët. Secili prej nesh do të mund të shtonte elemente të reja sa të duash.

Dhe të gjitha këto po na ndodhin në ditët kur po bëhemi gati të shënojmë ditëlindjen e gjashtë të Republikës së Kosovës.

Qysh tash mund të supozohet që prej 18 shkurtit e tutje, do të merret vesh se çka e pret politikën e Kosovës në ditët dhe javët e ardhshme. Në ndërkohë, ka të ngjarë që do të jenë në fuqi armëpushimi politik. Për hir të pavarësisë.

Zgjedhjet e reja në Kosovë, sipas të gjitha gjasave, kanë rolin e Qendrës Emergjente në mjekësi. Pra, duhet ta shpëtojnë një pacient të sëmurë rëndë, që ka vështirësi serioze, që mezi merr frymë, që ka gjakderdhje të brendshme. Kur atij i ruhet jeta, atëherë duhet të pasojë një riparim i themeltë i shëndetit të tij.

Pra, zgjedhjet e reja janë ai Hapi i Parë në ndaljen e transformimit të gjendjes së paqëndrueshme politike dhe shoqërore në një situatë që mund të kërcënojë vetë shtetin e Kosovës. Tek pas këtyre zgjedhjeve, pasi që të konstituohen Kuvendi dhe Qeveria e re e Kosovës, do të mund të nisë mëkëmbja politike dhe shoqërore e Kosovës.

Nuk kryhet pra puna me votën e qytetarëve. Me këtë votë, nis puna.

Ky do të ishte ai hapi i parë që do ta hidhte poshtë vlefshmërinë e Teorisë së Kolombos, sepse do të dinim se për ku jemi nisur.

Natyrisht, këtu e gjitha varet prej aftësisë, gatishmërisë dhe vullnetit tonë për të organizuar zgjedhje të lira dhe demokratike, të cilën gjë e kemi bërë në vjeshtën e vitit të shkuar, me zgjedhjet lokale. Po që se ndodh që mësymja jonë për të dalë sa më parë nga gjendja e sotme të sjellë përsëritjen e votimeve të dimrit të vitit 2010-të, atëherë mund të supozohet lehtë se çka do të ndodhë me ne.

Hapi i dytë mohues i aksidentit historik të Kolombos do të kishte kuptimin e dijes se ku do të mbërrimë në këtë rrugëtimin politik afatshkurtër të këtij viti.

Nëse synimi është fillimi i krijimit të rrethanave që pas një periudhe kohore disavjeçare (nuk është rendi i muajve, duhet shtuar menjëherë këtu), do të konstatohet qëndrueshmëria afatgjatë politike dhe ekonomike e Kosovës, atëherë prej 18 shkurtit e tutje, do të duhej të mbizotëronte në Kosovë maturia, mençuria, pjekuria politike.

Këto tipare mund të krijohen vetëm me një dialog të mirëfilltë dhe të sinqertë politik.

Do të duhej të fuqizoheshin tiparet politike, dhe do të duhej të bëhej dialogu politik, të cilët aktualisht kanë statusin e borës: Nuk janë.

Sa për llogarinë që Kolombo nuk e ka paguar asnjëherë, edhe në rastin tonë dihet fare mirë se kush do të ngarkohet me tatimin në dështimin e shtuar në Kosovë.

 

(Autori është Nënkryetar i Parë i AAK’së. Kjo kolumne është shkruar enkas për lajmi.net)