“Kriminel hibrid”, Peci me fyerje ndaj gazetarëve, “film” e quan bastisjen e Prokurorisë
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka eskaluar me fyerje dhe akuza ndaj gazetarëve dhe prokurorisë pas bastisjeve në ministrinë që drejton ai. Prokuroria Speciale e Kosovës kishte njoftuar se me qëllim të verifikimit të pretendimeve apo dyshimeve për veprimet e disa zyrtarëve publikë të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, lidhur me renovimin e…

Lajme
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka eskaluar me fyerje dhe akuza ndaj gazetarëve dhe prokurorisë pas bastisjeve në ministrinë që drejton ai.
Prokuroria Speciale e Kosovës kishte njoftuar se me qëllim të verifikimit të pretendimeve apo dyshimeve për veprimet e disa zyrtarëve publikë të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, lidhur me renovimin e objektit që e shfrytëzonte AAK-ja, ka autorizuar Policinë e Kosovës, që të kryejë veprime hetimore në mbledhjen dhe sigurimin e provave për sqarimin e rrethanave të çështjes.
Mirëpo Peci në emisionin “Context” të ATV-së, ka kërcënuar me padi ndaj gazetares së KTV-së që raportoi për shpenzimin e 66 mijë eurove për largimin e mobilieve nga objekti ku më parë kishte qëndruar AAK-ja.
Ai nuk është ndalur me kaq. Peci i ka quajtur “filma” bastisjet e Prokurorisë.
“Lajmi ka dal të dielën në lajmet e mbrëmjes, të nesërmen në ora tetë prokuroria ka urdhëruar bastisjen, prej katër zyrtarëve, tre i kanë larguar nga hyrjes tjetër, njërin e kanë nxjerrë nga dera kryesore. Dhe pas pesë minutash mediat kanë qenë para ministrisë, qysh është e mundur që pas urdhrit të Prokurorisë vijnë mediat”, ka thënë Peci.
Ai të dielën ka pretenduar se ka qenë në disa komuna dhe në mbrëmje kishte shkuar për të parë ndeshjen Kosova-Islanda në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
“Unë kam qenë në udhëtime në mbrëmje kam shkuar ta shikojë ndeshjen Kosova-Islanda, një pseudo-gazetar, analist që për mua është kriminel hibrid ka raportu që unë kam fshehur dosje deri në ora 12 të natës. Unë nuk kam asnjë dosje. Është çmendi çfarë po raportojnë mediat dhe janë duke helmu opinionin publik”, ka thënë veç të tjerash Peci.