Krimi në Shijak, kjo është telefonata që çoi në dështimin e negociatave
Policia dështoi në negociatat me autorin e vrasjes së djeshme në Shijak. Për gati 5 orë është negociuar me Dritan Petovën, nëpërmjet telefonit celular që ai ka mbajtur me vete. Familjarët janë thirrur për t’i kërkuar 41-vjeçarit që të zbriste nga shtylla e lartë e Radiostacionit.

Lajme
Ankthi ka përfshirë të gjithë zonën, veç të afërmve të Petovës. Në vend ka mbërritur edhe djali i tij 7 vjeç. Policia ka bllokuar zonën në një perimetër të caktuar për të mos u afruar kureshtarët apo gazetarët. Gjatë kësaj kohe i është kërkuar 41-vjeçarit që të bindej të dorëzohej. Fakti se ai ishte ende i armatosur e ka bërë të vështirë punën e policisë për të reaguar, pasi ishin përballë rrezikut që Petova mund të qëllonte.
Por, ndërsa ora po kalonte 11:30, u duk sikur autori u bind dhe po tentonte të zbriste.
Panorama shkruan se pikërisht atëherë ai ka mësuar nga telefonata e fundit se gruaja dhe vjehrri kishin vdekur. Ky ishte momenti fatal që solli dështimin e negociatave. Deri në atë kohë, 41-vjeçari kishte menduar se vetëm i kishte plagosur ata.
Ai ka drejtuar çiften në gjoks dhe e ka shkrehur, duke rënë i vdekur mbi hekurat e shtyllës së Radiostacionit.
Policia, por edhe familjarët dhe fqinjët, sqarojnë se Petova njihej si konsumues i rregullt i alkoolit. Madje, pranë trupit të tij u gjet edhe një shishe rakie.
Zyrtarisht, Policia e Durrësit tha se “efektivët e policisë kanë negociuar me autorin për rreth 5 orë dhe janë munduar ta mbajnë nën kontroll situatën. Autori me vete ka pasur edhe armën e krimit, me të cilën qëlloi mbi veten dhe ndërroi jetë menjëherë.
Arma e gjahut ishte me leje në emër të babait të autorit. Si shkak i ngjarjes kanë qenë konfliktet e vazhdueshme familjare midis bashkëshortëve”.