Kreu i një partie greke dënohet me 37 vjet burg për falsifikim
Kryetari i shumëpërfolur i Partisë Ekologjike Greke, Dhimostenis Vergis u dënua me 37 vjet burg pasi Gjykata greke e Apelit e shpalli fajtor për kalim të paligjshëm të pasurisë shtetërore në pronë private dhe falsifikim dokumentesh.

Lajme
Me këtë falsifikim ai pretendonte si pronë private një tokë shtetërore me sipërfaqe 452 mijë metra katrore, pranë liqenit Marathon, në verilindje të Athinës.
Vergis, i cili ka qenë përherë në krye të titujve kryesorë të gazetave për antikitetet në zotërim, u gjobit edhe me 150 mijë euro.
“Për dënimin e tij gjykatësit morën në konsideratë edhe faktin se ai nuk kishte qenë kurrë i dënuar”, njoftoi botimi elektronik i gazetës greke “Kathimerini”.
Si transmeton BW, kjo tokë e pretenduar nga kryetari i Partisë Ekologjike është vlerësuar mbi tetë milionë euro.
Vergis ka pretenduar pronësinë duke paraqitur certifikatë të falsifikuara, që e lejonin të ndërtonte në atë sipërfaqe. Ai nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, ndërkohë që për të është lëshuar një mandat arresti.