Krerët e Gjilanit dhurojnë gjak

Në javën botërore të dhurimit të gjakut, zyrtarë të lartë të komunës së Gjilanit ka dhuruar gjak. Ata u kanë bërë thirrje edhe qytetarëve që ta bëjnë një gjë të tillë.

Lajme

14/06/2014 15:30

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku-Rexhepi, drejtorë dhe zyrtarë komunalë në Gjilan, i janë përgjigjur të shtunën aksionit për dhurimin e gjakut, duke u bërë pjesë e javës botërore për dhurimin e gjakut.

Haziri ka thënë se një pikë gjak është e barabartë me një jetë, në rastet e fatkeqësive dhe emergjencave tjera të ndryshme, prandaj i ka inkurajuar qytetarët e Gjilanit që t`i përgjigjen sa më shumë javës për dhurimin e gjakut.

Apelin e saj për dhurimin e gjakut, pasi e ka bërë këtë personalisht, e ka përcjellë edhe kryesuesja e Kuvendit Komunal, Valentina Bunjaku-Rexhepi, duke thënë se të gjithë ata që kanë mundësi të dhurojnë gjak, duhet ta bëjnë këtë pa asnjë hezitim.