‘Krejt Njëjtë’
Shkruan: Ridvan Emini
Opinion
Në Kosovë, që nga liria e saj, por edhe nga shpallja e pavarësisë, nuk ka mundur asnjë qeveri ta qojë deri në fund ndonjë mandat. Krejt ky rrëfim fillet e tij i ka qysh në vitin 2001, pra kur u mbajtën zgjedhjet e para për institucionet e përkohshme vetëqeverisëse të atëhershme, por që u përfundua para kohe ai mandat, për të shkuar në zgjedhje të reja e të cilat gjithashtu sollën disa kryeministra me mandate të shkurtra. Qeveri më stabile kishte pas zgjedhjeve të vitit 2007, mirëpo, jo deri në atë masë sa të kemi përfundime të rregullta të mandateve qeveritare (qeveria Thaçi 1 dhe qeveria Thaçi 2).
Tani veç se ka filluar zyrtarisht fushata zgjedhore, ku subjektet politike janë gjallëruar qysh pak ditë para se të ketë dhënë dorëheqje kryeministri në largim Ramush Haradinaj. Debatet dhe përplasjet mes subjekteve politike kanë filluar, ato pritet të rriten edhe më tej në këto ‘pak’ ditë të mbetura, ku do të bëhen disa polarizime mes disa subjekteve politike, por duke ‘ruajtur’ gjithnjë partnerët potencial me të cilët mendohet të krijohen koalicionet pas-zgjedhore për formimin e qeverisë së re.
Mospërfundimi i rregullt i mandatit qeveritarë në të gjitha qeveritë e deri tanishme, është padyshim krijimi i koalicioneve jo parimore, pra në të shumtën e rasteve kemi pasur koalicione të ‘zorit’, pra jo koalicione të mirëfillta programore dhe ideologjike. Pra, kemi pas rastin t’i shohim mish-mashet ideologjiko-partiake brenda një qeverie. Kjo situatë e krijuar nga ato koalicione krijon jo stabilitet dhe si e tillë, në pengesën e parë të hasur ka pasur dallime rreth tejkalimit të saj apo dallime edhe diametralisht të kundërta rreth saj. Një gjë të tillë kemi pasur rastin të shohim edhe në qeverinë Mustafa ku kishte dallime rreth demarkacionit, por edhe në qeverinë Haradinaj, ku kishte dallime rreth taksës dhe dialogut apo edhe rreth ngritjes së pagave, përkatësisht të kabineteve ministrore dhe vet kryeministrit.
Konsistenca e vazhdueshme e subjekteve politike në Kosovë në mos përfundimin e mandateve qeveritare, i bënë zgjedhjet e jashtëzakonshme zgjedhje të zakonshme. Pra, ne tani kemi filluar një proces zgjedhor i cili është mese i zakonshëm. Po ashtu, këto zgjedhje të zakonshme nuk do të sjellin asgjë të pazakontë apo të jashtëzakonshme, sepse subjektet politike janë po ato që i kemi pasur deri më tani me disa përjashtime të vogla në nominime për kryeministër dhe në lista kandiduese, por në esencë kemi pak programe konkurruese konkrete. Kjo e bënë situatën të zakonshme meqë edhe në të kaluarën nuk kishte shumë përmbajtësore në programet e partive politike.
Ajo që tashmë mund të shohim në fotografinë e madhe është se qeveria e ardhshme sërish nuk mund të jetë një qeveri e cila nuk do të përmbaj mish-mashe programore sepse rreshtimet partiake sidomos brenda koalicioneve parazgjedhore nuk janë të ndërtuara mbi një bazë ideologjike, andaj cili do subjekt i madh që mund të del i pari në zgjedhjet e 6 tetorit, do të jetë i ‘detyruar’ të zgjedh për partner një subjekt tjetër të madh e që dallon për nga ideologjia, por do të jetë i ‘detyruar’ të zgjedh edhe një ‘grumbull’ partish të krijuara në koalicion parazgjedhor, tërë kësaj shtoja edhe partitë që dalin fituese nga komunitetet. Pra, sërish sintagma zgjedhore do jetë brenda titullit të këngës së bendit Minatori ”Krejt Njëjtë”.