Krejt çfarë ndodhi në vizitën e Mogherinit në Kosovë (Foto)
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini ka vizituar sot Kosovën.

Lajme
Ajo fillimisht është takuar me presidentin e vendit, Hashim Thaçin e më pas me kryeparlamentarin, Kadri Veseli.
Pas takimit me Veselin, ajo është takuar me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa. Pas këtij takimi, Mustafa dhe Mogherini kanë mbajtur një konferencë për media.
Në këtë konferencë, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri ka qenë e qartë dhe e prerë se Kosova nuk mund të marrë liberalizimin e vizave pa e ratifikuar marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.
Ajo poashtu ka dhënë garancinë e BE-së se të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel nga Kosova dhe Serbia do të implementohen.
Më pas në vazhdën e takimeve në Prishtinë, ajo ka mbledhur të gjithë liderët e partive politike, si pozitë e opozitë, ashtu si edhe kryetarin e Listës Serbe në një takim të përbashkët.
Pas Prishtinës, Mogherini me helikopter ka arritur në qytetin e Mitrovicës. Aty ajo fillimisht ka inspektuar punimet në pjesën jugore të Urës së Ibrit, e më pas edhe ato në pjesën veriore.
Ajo nga atje ka thënë se Europa do të mundohet edhe një herë të sjellë ri-integrimin e qytetarëve por edhe të krijojë paqe ndërmjet kosovarëve dhe serbëve në të dyja pjesët e këtij qyteti, njofton Klan Kosova.
Në fund, Mogherini ka takuar edhe kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq me të cilin kanë biseduar për punimet në veri të Mitrovicës.
Vizita e Mogherinit në Kosovë është në kuadër të turneut të saj në Ballkan, ku fillimisht ka vizituar Shkupin, më pas Beogradin dhe Tiranën e në fund Prishtinën njofton Klan Kosova.
Fotografitë janë marrë nga llogaria e Federica Mogherinit në Twitter, nga njoftimi i Zyrës së Presidencës për këtë takim dhe nga njoftimi i zyrës së kreut të Kuvendit po për këtë takim.