Krasniqi, VV-së: Nëse politika na ndanë, vlerat e popullit nuk duhet t’na ndajnë, votoni rezolutën për mbrojtje të vlerave të luftës

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje të votojnë rezolutën për mbrojtjen e vlerave të popullit.

Lajme

09/07/2020 16:55

Ai ka thënë se mospajtimet politike nuk duhet të reflektojnë në çështje që janë të interesit kombëtar, shkruan lajmi.net.

Më tutje, Krasniqi ka thënë se VV nuk është mirë të ndahet nga votimi i kësaj rezolute sepse po përkrahet nga të gjithë dhe ka të bëjë me vlerat e popullit të Kosovës.

“Nuk do të ishte mirë që për një çështje të ndjeshme e të rëndësishme të krijohen paragjykime të cilat nisin nga mospajtimet politike. Mospajtimet politike nuk do duhen të reflektojnë si mospajtime në lidhje me këtë rezolutë dhe përmbajtjen e saj që ka në thelb vlerat më sublime të popullit tonë. Z.Selimi ju thatë si po mund ta mbështesni? Ne para kësaj mbështetëm një rezolutë të zonjës Osmani dhe ishte me më pak urgjencë se kjo, mbështetëm edhe rezolutën kundër deklaratës së Rakiqit, puna e deputetëve dhe grupeve parlamentare është të veprojnë edhe politikisht, por për UÇK-në nuk mendoj se duhet të mbajmë seminare për të treguar se çfarë është e drejtë e çfarë jo. Përmbajtja e rezolutës është në rregull. Mos u ndani nga përkrahja e kësaj rezolute sepse të gjithë po e përkrahin dhe do të ishte mesazh i mirë edhe për qytetarët dhe unë kam shpresë të madhe dhe ju lus të mos ndaheni si LVV nga mbështetja e kësaj rezolute. Nëse politika na ndanë, vlerat e popullit nuk duhet t’na ndajnë.”, tha Krasniqi. /Lajmi.net/