Krasniqi: Vetëvendosje po e dhunon krejt shtetin, Haxhiu më e rëndësishme se 1 milion qytetarë
Tentimi i njëmbëdhjetë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dështoi sërish. Propozimi i LVV-së për ndërrimin e mënyrës së votimit për zgjedhjen e kryeparlamentarit, nuk gjeti përkrahjen e 61 deputetëve të kërkuar për të proceduar tutje, transmeton lajmi.net. Pas kësaj seanca u ndërpre për 48 orë tjera, teksa Memli Krasniqi nga PDK tha se Albulena…

Lajme
Tentimi i njëmbëdhjetë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dështoi sërish.
Propozimi i LVV-së për ndërrimin e mënyrës së votimit për zgjedhjen e kryeparlamentarit, nuk gjeti përkrahjen e 61 deputetëve të kërkuar për të proceduar tutje, transmeton lajmi.net.
Pas kësaj seanca u ndërpre për 48 orë tjera, teksa Memli Krasniqi nga PDK tha se Albulena Haxhiu nuk do të jetë kryeparlamentarja e re e këtij institucioni.
Krasniqi deklaroi se VV-ja po e dhunon jo veç Kuvendin, por krejt shtetin.
“Çka të themi kur sot po mblidhemi për herën e 11’të dhe po e përjetojmë reprizën e përsëritur të LVV. Për Albin Kurtin, Albulena Haxhiu është më e rëndësishme se 1 milion qytetarë që kanë votuar, në mungesë të numrit, besimit ai po luan me Albulena Haxhiun, duke e mbajtur atë si kandidaten që nuk ka kaluar dhe nuk do të kalojë. Një gjë duhet të kuptojë Albin Kurti nuk mund ta mbajë më shumë peng shtetin, e ka mbajtur mjaftueshëm tashmë, nëse dëshiron të kemi rrugëdalje le ta ndryshojë kandidaten. Ne jemi të gatshëm për të marrë përgjegjësitë tona. Përgjegjësia është e tyre atyre u takon të bëjnë hapin e parë, ata po e përsëritin atë, i ftoj ata që ta ndërrojnë këtë mentalitet autoritar dhe imponues”, tha Krasniqi.
Krasniqi thotë se veprimet e LVV janë dhunim i demokracisë.
“Është dhunim i demokracisë kjo çka po bënë LVV, sepse demokracia është pluralizëm dhe pluralizmi nënkupton mendime të ndryshme, nënkupton diskutime dhe kompromise. Këtu s’ka diskutime, s’ka dialog, s’ka kompromise, esencialisht po tentohet një imponim i vullnetit, megjithatë ua sigurojë që PDK nuk do ta lejojë një gjë të tillë”, shtoi ai.
I pari i PDK-së, thotë se në këtë situatë edhe zgjedhjet mund të jenë zgjidhje.
“Ne sapo kemi përfunduar zgjedhjet, do duhej që ai verdikt të implementohej në institucione. Meqë LVV po e pengon këtë, e kam thënë edhe më herët që edhe zgjedhjet mund të jenë zgjidhje. Nëse zgjedhjet janë të pashmangshme ato duhet të mbahen sa më shpejtë. Duhet të kemi dakordim politik, për zgjedhje”, përfundoi Memli Krasniqi./Lajmi.net/