Krasniqi: Tribunali në pako me EULEX-in në Kuvend
Jakup Krasniqi thotë se çështja e Tribunalit mund të vjen në Kuvend bashkë me vazhdimin e mandatit të EULEX-it. Për Gjykatën, thotë se është e vështirë të flitet, përderisa nuk ka të dhëna zyrtare, se si do të duket ajo.
Lajme
Kryeparlamentari, Jakup Krasniqi, thotë se çështja e Tribunalit mund të vjen në Kuvendin e Kosovës në një pako së bashku me transformimin e mandatit të misionit EULEX.
Sipas tij, që të dy çështjet duhet të dërgohen në Parlament, në mënyrë që legjislativi të jep mendimin e tij.
Institucionet vendore së fundmi kanë marrë një mesazh të qartë nga bashkësia ndërkombëtare – që këto dy çështje duhet të mbyllen para se vendi të shkojë në zgjedhje.
Gjatë qëndrimit dy ditor në Kosovë, Drejtor i Zyrës për Europën Juglindore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore, ka thënë se themelimi i Gjykatës Speciale është i domosdoshëm për Kosovën.
Por, se a do të marrë përkrahjen e Kuvendit ky Tribunal, sipas Krasniqit, do të varet nga partitë politike.
Ai nuk ka qenë në gjendje të tregojë se a do të votojë pro apo kundër Tribunalit.
Në një bisedë për lajmi.net, ai është arsyetuar duke thënë se e është e vështirë të flitet për këtë Gjykatë, përderisa nuk ekziston një dokument zyrtarë se si do të dukej ajo.
“Kjo çështje mund të vjen si kërkesë edhe për vazhdimin e mandatit të EULEX-it edhe për Tribunalin mund të bëhet një kërkesë e përbashkët, diçka e ngjashme me marrëveshjet ndërkombëtare. Por, një gjë e tillë ende nuk ka ardhur në Kuvend”.
“Është e kuptueshme që mandati i EULEX-it duhet të dërgohet në Kuvend për ta dhënë mendimin e tij për këtë, por edhe çështja e kësaj gjykate duhet të vjen në Kuvend”.
“A do të votohet, kjo do të varet shumë nga partitë politike parlamentare. Unë si dokument nuk e kam parë dhe krejt çka kam njohuri, më tepër kam njohuri gojore ose mediale”.
Në këtë kontekst, nëse Kuvendi nuk arrin të aprovojë themelimin e Tribunalit, atëherë kjo çështje do të kalojë në duart e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e cila përmes Rezolutës 1244 do të merrte vendim për krijimin e Gjykatës Europiane.
Por, SHBA po kërkon që kjo çështje të kalojë përmes Kuvendit, e jo përmes Këshillit të Sigurimit, pasi sipas tyre, Rezoluta 1244 do ta dëmtonte shtetësinë e Kosovës.
Sidoqoftë, Krasniqi nuk e preferon asnjërën. Një Tribunal i tillë nuk duhej të krijohej sipas tij. Ai shpjegon se nuk është UÇK-ja ajo që ka kryer krime gjatë luftës.
“Të papërshtatshme janë të dyjat, sepse unë konsideroj se krimet e luftës në Kosovë nuk janë kryer nga UÇK-ja. Krimet më të mëdha të luftës i ka kryer Serbia me mekanizmat e vet shtetëror dhe nuk do të duhej të krijohej një Tribunal kështu siç po thuhet”.
Gjykata Speciale që do ta ketë selinë në Kosovë dhe një zyrë në Hagë të Holandës, do të merret ekskluzivisht me krimet që pretendohet se janë kryer nga pjesëtarë të UÇK-së, të përshkruara në raportin e senatorit zviceran Dick Marty.