Krasniqi thotë se VV është “parti e mentalitetit monist”: I kanë mbi 40 opsione por e kanë bllokuar konstituimin e Kuvendit

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi është deklaruar para mediave pas dështimit të 29-të për konstituimin e Kuvendit. Ai ka thënë se 4 muaj pas zgjedhjeve, ku qytetarët kanë treguar se nuk e duan sundimin një partiak të katër viteve të kaluara, është pikërisht sipas tij VV të cilën e quan “parti të mentalitetit monist” që…

Lajme

09/06/2025 11:45

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi është deklaruar para mediave pas dështimit të 29-të për konstituimin e Kuvendit.

Ai ka thënë se 4 muaj pas zgjedhjeve, ku qytetarët kanë treguar se nuk e duan sundimin një partiak të katër viteve të kaluara, është pikërisht sipas tij VV të cilën e quan “parti të mentalitetit monist” që nuk po e lejon konstituimin e Kuvendit dhe themelimin e Qeverisë së re.

Ai ka thënë se PDK është konsistente në qëndrime dhe besojnë që Kosovës i duhet Kuvendi por edhe Qeveria.

“Ka aq shumë punë të cilat presin për t’u bërë, ka aq shumë sfida e kërkesa të qytetarëve të cilët na kanë votuar për tu marrë e për tu ballafaquar e zgjidhur ato, dhe nuk ka asnjë arsyetim më tej që për shkak të kryeneçësisë politike të Kurtit dhe VV-së në insistimin e tyre për ta bërë kryetare të Kuvendit Albulena Haxhiun pa i pas votat, për herë të parë në historinë e re të Kosovës pa i pas votat, kjo situatë nuk duhet të vazhdoj më tej. Ne e përsërisim edhe më tej qëndrimin tonë. I ka mbi 40 opsione Kurti, krejt çka duhet është që vërtetë të tërhiqet nga propozimi që nuk e ka shumicën e as nuk do ta ketë më vonë”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se do ta respektojnë dhe zbatojnë cilindo vendim që do ta marr Gjykata Kushtetuese por që sipas tij nuk do të ofroj zgjidhje pasi kriza është politike.

“Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, PDK ka treguar gjithmonë jo vetëm respekt por edhe zbatueshmëri të atyre vendimeve edhe kur na kanë pëlqyer edhe kur nuk na kanë pëlqyer sepse Gjykata Kushtetuese ka mbet organi i vetëm që ka vërtetë integritet dhe kredibilitet dhe vepron përtej palëve.  Përkundër faktit që ne e kemi mbështetur edhe atë lëndë nuk na ofron zgjidhje. Ne nuk kemi krizë juridike kushtetuese, ne kemi krizë politike dhe kriza politike kërkon zgjidhje politike.  Nuk mundet Gjykata Kushtetuese me e zgjidh këtë situatë, ajo mundet me e pranu lëndën ta trajtoj dhe të ketë një aktgjykim e të thotë që bënë kështu ose ashtu, por Ksuhtetua e parasheh në mënyrë të qartë që deputeti nuk i nënshtrohet asnjë mandati kushtetues duke përfshirë edhe atë aktgjykim. Problemi dhe kriza janë politike, zgjidhja duhet të jetë politike.”, ka thënë Krasniqi.

Në lidhje me Qeverinë e Unitetit të propozuar nga LDK, ai ka thënë se nuk mund të bëhet pasi LVV me numrin më të madh të deputetëve e ka refuzuar që në fillim.

“Unë besoj që asgjë nuk ka ndryshuar nga hera e fundit që jam deklaruar, Qeveritë e tilla nënkuptojnë që duhet me qenë të gjithë bashkë dhe LVV me numrin më të madh të deputetëve e ka refuzu qysh në start dhe besoj që nuk kemi çka diskutojmë tutje për këtë çështje. Unë e shoh të dhimbshme që ne si parti të ish opozitës nuk po e bëjmë shumicën parlamentare sepse këtë mundësi e kemi, sikur të ishte pranuar propozimi i PDK-së qysh ditën e nesërme pas zgjedhjeve unë jam i sigurt që ne sot do të kishim Qeveri dhe institucione sepse shumica parlamentare ekziston në anën e partive të ish opozitës”, ka thënë Krasniqi. /Lajmi.net/