Krasniqi: Sivjet hapen mbi 2500 vende të reja pune në bujqësi

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka raportuar sot para Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural. Ai ka folur për procesin e deritanishëm të programit, si për grante ashtu edhe për subvencione.

Lajme

14/07/2015 14:23

Krasniqi tha se miliona euro tashmë janë dhënë për fermerët në pjesën e subvencioneve dhe pritet që pas fazave të kontrolleve në terren të nisin edhe realizimet e granteve.

Ai tha se ka ende mjaft sfida në bujqësi, dhe në implementim të programeve sepse ende nuk janë kapacitetet e nevojshme në ministri dhe Agjenci për Zhvillimin e Bujqësisë. Krasniqi tha se po bëhen përpjekje që të rritet stafi në AZHB përmes ministrive të tjera, pasi bëhet fjalë për mbi 40 mijë lëndë e kontrolla në terren që duhen kryer dhe kjo kërkon angazhim të lartë të njerëzve në mënyrë që projektet vërtetë të japin rezultate.

Ministri Krasniqi, tha se me investimet nga MBPZHR-ja do të rritet prodhimi dhe do të hapen vende të reja të punës. Në këtë drejtim ai përmendi se planifikohet se me grantet e MBPZHR-së të hapen rreth 2500 vende të reja të punës.

Ai duke folur për sfidat në sektorin e qumështit, tha se kërkesat e qumështarëve tani për tani nuk janë të fushës së përgjegjësisë së MBPZHR-së, pasi kanë të bëjnë me tregun.

Gjithsesi ai shtoi se ky sektor është më i mbështeturi deri më tani në bujqësi, me rreth 40 milionë euro që nga viti 2008. /lajmi.net