Krasniqi: Presidentja të shpall sa më parë datën e zgjedhjeve – Kurti dhe VV-ja e kanë sjell Kosovë në këtë situatë

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi ka folur për media pas dështimit të mandatarit të dytë të VV-së për kryeministër, Glauk Konjufca. Krasniqi e ka akuzuar VV-në dhe Albin Kurtin që me mentalitetin e tyre bllokues e kanë sjell Kosovën në këtë situatë, transmeton lajmi.net. “Sot përfundimisht dolën të vërtetat. Kanë kaluar mbi 9 muaj që…

Lajme

19/11/2025 15:58

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi ka folur për media pas dështimit të mandatarit të dytë të VV-së për kryeministër, Glauk Konjufca.

Krasniqi e ka akuzuar VV-në dhe Albin Kurtin që me mentalitetin e tyre bllokues e kanë sjell Kosovën në këtë situatë, transmeton lajmi.net.

“Sot përfundimisht dolën të vërtetat. Kanë kaluar mbi 9 muaj që kur qytetarët e Kosovës kanë folur me votë dhe i patën thënë një jo të madhe të ashtuquajturi referendum të Albin Kurtit, duke i thënë jo po ashtu mentalitetit të qeverisjes një partiake. Kanë kaluar më shumë se 7 muaj kur jemi mbledhur si të zgjedhurit e popullit këtu në Kuvendin e Kosovës për të konstituar Kuvendin dhe për t’i dhënë përsëri qytetarëve institucione legjitime, asnjë nga këto nuk ka ndodhur. Më vjen keq, që këtu para jush, qysh me 27 prill, kam thënë që ky ngërç do të vazhdoj nëse nuk tërhiqet z.Kurti nga mentaliteti i tij bllokues dhe përfundimi do të jenë zgjedhjet e parakohshme. Kam kërkuar qysh atëherë që këto zgjedhje të mbahen qysh më herët, në qershor, në mënyrë që qytetarët të thonë fjalën e tyre edhe njëherë për të na dhënë drejtimin që ata e kërkojnë. Kjo nuk ka ndodhur sepse ky mentalitet bllokues i VV-së dhe i z.Kurti, e kanë sjellë Kosovën pikërisht në këtë situatë, bllokadë pas bllokade, vonesë pas vonese, taktizim pas taktizimi, që sot përsëri, rezultati del i njëjtë. Jemi duke shkuar shpejt drejt zgjedhjeve të parakohshme.”, tha ai fillimisht.

Tutje, Krasniqi kërkoi nga Presidentja e Republikës që të caktoj sa më shpejt datën e zgjedhjeve të reja.

“Presidentja e Republikës e ka obligim që sa më parë ta shpall datën e zgjedhjeve, që të mos humbet kohë e vlefshme sepse qytetarët kanë nevoj për institucione legjitime e funksionale.”, shtoi deputeti i PDK-së.

Në fund, Krasniqi tha se propagandat e VV-së në seancën e parë të orës 11:00 nuk pinë ujë.

“Propagandat e seancës së parë nuk pinë ujë. Kosova nuk është duke i rrezikuar fondet e BE-së me mosvotimin e sotëm, as nuk e ka rrezikuar kreditë e Bankës Botërore me mosvotimin e sotëm, as qytetarët e Kosovës nuk mbesin papagat e tyre për mosvotimin e buxhetit të sotëm”, tha ai./lajmi.net/