Krasniqi: Presidentja Osmani po ndërhyn në rendin kushtetues, është shfaqur haptazi në fushatë zgjedhore duke fajësuar opozitën për bllokimin e buxhetit
Albert Krasniqi nga Demokracia Plus ka ngritur shqetësimin e veprimeve të Presidentes Vjosa Osmani, duke e cilësuar ndërhyrjen e saj në procesin zgjedhor. Krasniqi përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se Presidentja e vendit, e cila sipas Kushtetutës është garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve, po shfaq përfshirje të hapur…
Lajme
Albert Krasniqi nga Demokracia Plus ka ngritur shqetësimin e veprimeve të Presidentes Vjosa Osmani, duke e cilësuar ndërhyrjen e saj në procesin zgjedhor.
Krasniqi përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se Presidentja e vendit, e cila sipas Kushtetutës është garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve, po shfaq përfshirje të hapur në procesin zgjedhor, duke cenuar seriozisht rendin kushtetues.
“Fillimisht, ajo ushtroi presion të drejtpërdrejtë për vendimmarrje politike ndaj Gjykatës Kushtetuese, në kundërshtim me parimet e pavarësisë së gjyqësorit – veprim që çoi deri te pezullimi i nisjes së dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky zhvillim dëshmoi qartë se institucionet tona po humbin besueshmërinë te partnerët ndërkombëtarë”, ka shkruar Krasniqi.
Tutje Krasniqi, ka thënë se Osmani ka ndërhyrë edhe në rendin kushtetues të themelimit të institucioneve përmes letrave drejtuar Kryetarit të Kuvendit për formimin e komisioneve parlamentare , gjë të cilën e ka quajtur “një praktikë e paprecedentë që synonte të mbështeste narrativat e partisë në pushtet dhe të ndikonte procesin politik përtej kompetencave të saj”.
Ndërkaq ai ka theksuar se Presidentja duhet të përmbahet nga çdo ndërhyrje në proceset zgjedhore dhe të përqendrohet në detyrimet e saj.
“Tani, ajo është shfaqur haptazi në fushatë zgjedhore duke fajësuar opozitën për bllokimin e buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Në fakt, kjo përbënte një thirrje të kamufluar për pajtueshmëri kolektive për shkeljen e Kushtetutës, duke zhvendosur fajin nga ata që e prodhuan krizën tek ata që refuzuan ta legjitimonin atë”, shkroi Krasniqi. /Lajmi.net/