Krasniqi për Komisionin Hetimor: Kurti mundet me e vonu, por jo edhe me ndalë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka adresuar një varg akuzash ndaj shumicës parlamentare në Kuvend për bllokim të komisionit hetimor parlamentar.

Lajme

28/04/2022 13:36

Ai gjatë seancës së Kuvendit, tha se kryeministri Albin Kurti mundet të vonojë komisionin hetimor parlamentar për krizën energjetike, por jo ta ndal.

“Albin Kurti mundet me vonu këtë hetim, ama nuk ka me e ndal. Kanë me dal krejt përgjegjësit, shkeljet, s’po iu themi na se janë bërë krime, por vetëm ka dyshime për keqpërdorime marramendëse. Duhet me dhanë përgjigje, del ministrja se pata qejf me diskutu me të, por iku”, tha ai.

Duke iu kundërpërgjigjur propozimit të mazhorancës për komisionin hetimor, Krasniqi kërkoi nga pushteti të hetojë gjithçka çka ka ndodhur këto 20 vjet, pasi i ka të gjitha hallkat e pushtetit në dorë.

“E keni pushtetin e plotë, ky ndikim i juaji është pothuajse absolut në secilën hallkë të pushtetit të Kosovës. Pse nuk po i hetoni krejt këto 20 vjet që keni akuzuar sa e sa kohë. Hetoni me Prokurori Speciale, me themelore, ministri dhe gjithçka tjetër. Hiç më larg, Mimoza Kusari-Lila është në bankën e të akuzuarve për atë të kaluar. A e dini çka është ironia se unë jam i bindur se s’ka bërë asnjë faj, ndërsa ju jeni të bindur se ka shkel ligjin dhe ka bërë krimin. Ashtu keni thënë të kaluarën, për KEDS-in që ka shit lirë dhe për të njëjtin që ja keni dhënë 100 milionë euro subvencion”, deklaroi ai.

Gjatë fjalës së tij në foltore të Kuvendit, Krasniqi iu drejtua disa herë deputetëve të LVV-së, për çka i reagoi deputeti, Mirsad Shkreta, i cili aludoi se Krasniqi ka ardhur në Kuvend nga rruga.

“Ne nuk vijmë nga rruga, ne vijmë nga profesionet tona, shembullin e rrugës në politikë e keni ju. Ne kemi ardhur nga profesionet tona fisnike me dhënë kontributin tonë”, tha ai.

Në kundërpërgjigjen e tij, Krasniqi tha se kultura e rrugës është në Lëvizjen Vetëvendosje, pasi e njëjta ka djegë institucionet gjatë protestave. Ndërkohë përmendi edhe ish-grupin e tij muzikor, ‘Ritmi i Rrugës’, për çka tha se është krenar për atë.

“Kulturën e rrugës e ke gjet në partinë që ke shku, pasi kjo parti në rrugën e Prishtinës i ka kallë institucionet. Dmth nëse aludon tek ‘Ritmi i Rrugës’ që e ke dëgjuar kur je rritë, ajo është një prej gjërave më krenare që kam bërë unë. Pasi atëherë e kam ngrit zërin kur ti se ke ngritë”, shtoi ai.

Në këtë debat u përfshi edhe shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se deputeti Krasniqi nuk mundet tu jap mësime deputetëve të pushtetit.

“I them mos u brengos fare për mënyrën si arsyetohemi ne për qeverisje apo për përgjegjësitë politike, besoj secili deputet është i vetëdijshëm për obligimet që i ka. Ne nuk mundet me na dhënë mësime me na treguar çka duhet dhe si duhet me u arsyetu ne për diçka e cila po karakterizohet me një qeverisje për këto vite për të cilat po kërkohet hetimi. Nëse jeni krejt në rregull nuk kemi nevojë as ne të fshihemi. Dhe e treta, askush nuk po don as me blloku as me rrëzu rendin kushtetues, po ofrojmë zgjidhje për zhbllokim për një bllokim që jeni fut vet. Dhe numrat në këtë kuvend nuk i kemi përcaktuar ne me dëshira, i kanë përcaktuar qytetarët me vullnetin e vet politik”./Lajmi.net/