Krasniqi: Nuk mund të fshihen pas Konjufcës, qeverisja e Kurtit ka qenë nivel i Bashës
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se qeverisja e Albin Kurtit ka qenë nivel i Dimal Bashës, i cili dje u zgjodh Kryetar i Kuvendit, pikërisht me votat e PDK-së, duke shtuar se Qeveria nuk mund të fshihet pas ish-Kryeparlamentarit Glauk Konjufca. Krasniqi tha se nëse nuk do të votohej dje…

Lajme
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se qeverisja e Albin Kurtit ka qenë nivel i Dimal Bashës, i cili dje u zgjodh Kryetar i Kuvendit, pikërisht me votat e PDK-së, duke shtuar se Qeveria nuk mund të fshihet pas ish-Kryeparlamentarit Glauk Konjufca.
Krasniqi tha se nëse nuk do të votohej dje Dimal Basha, secili do të kishte të drejtë të thoshte se “PDK janë mashtrues, nuk e mbajnë fjalën”.
“Qëllimi i tij ka qenë me imponu Albulena Haxhiun, pothuajse secili janë të njëjtë. Kam rezerva për të gjithë, veç që janë në VV kam rezervë, u thashë edhe gazetarëve”, tha Krasniqi.
I pari i PDK-së shtoi se kryekuvendari u votua, kur u plotësuan kriteret që i ka vendosur partia e tij.
Ai ka thënë që kjo parti votoi për të zgjedhur Dimal Bashën për kryetar të Kuvendit që të dëshmojë se nuk kontribuon në bllokadën institucionale.
“Ma shumë se sa për Dimal Bashën apo për individin, ne votuam për të mbajtur premtimin dhe fjalën që u kishim dhënë qytetarëve të Kosovës që Partia Demokratike nuk është kontribuuese në bllokadë, por që brenda kritereve dhe parametrave që ne i kishim vendosur si parti, do të zhbllokojmë situatën dhe do të dalim nga ngërçi politik”, ka thënë Krasniqi në Klan Kosova.
“Ka një historiat sepse sot nuk ka ndodhur asgjë. Sot është një epilog i një krize politike të cilën Lëvizja Vetëvendosje e ka filluar qysh herët”.