Krasniqi: Nesër mund të votohet edhe Qeveria, shkak ratifikimi i një marrëveshjeje ndërkombëtare që afati i skadon më 13 shkurt

Albert Krasniqi nga “Demokracia Plus”, ka thënë që nesër mund të votohet edhe Kuvendi, por edhe Qeveria. Kjo për shkak se më 13 shkurt thotë ai skadon afati që Kuvendi ta ratifikojë një marrëveshje ndërkombëtare me Bankën Botërore. “Unë po pres që ka me qenë një seancë që do përmbushet edhe për shkak të ngutisë…

Lajme

10/02/2026 21:50

Albert Krasniqi nga “Demokracia Plus”, ka thënë që nesër mund të votohet edhe Kuvendi, por edhe Qeveria.

Kjo për shkak se më 13 shkurt thotë ai skadon afati që Kuvendi ta ratifikojë një marrëveshje ndërkombëtare me Bankën Botërore.

“Unë po pres që ka me qenë një seancë që do përmbushet edhe për shkak të ngutisë me të cilën është thirr. Ngutia që po bëhet ka të bëjë me marrëveshjen ndërkombëtare, më 13 shkurt skadon afati për ratifikim të marrëveshjes me Bankën Botërore për një kredi që duhet ta marrë Kosova”, ka thënë ai në T7.

Ndërsa, për modelin që nënkryetarët të votohen në pako, ai ka thënë se kur VV nuk i kishte votat problematizonte çështjen e përfaqësimit të komuniteteve.

“Ky modeli që u prezantua për gjithë nënkryetarët në pako, kur Lëvizja Vetëvendosje nuk i kishte votat problematizonte me çështjen e përfaqësimit të komuniteteve, duke e paraqitur Listën Serbe si të dëmshme për vendin dhe që drejtat e tyre nuk mund të realizohen për shkak se është ndikim nga Serbia. Tash kur i kanë votat e paraqesin çështjen si teknike”, ka thënë ai.