Krasniqi në një vijë me VV-në: I kemi kërkuar Kushtetueses të mos marrë për bazë ankesën e Listës Serbe

Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal dhe deputeti, Elbert Krasniqi ka deklaruar se i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të mos marrë për bazë ankesën e Listës Serbe. Sipas tij, kjo do të prishte balancin e respektimit të të drejtave të të gjithë komuniteteve joshumicë. Ai tha se Kuvendi duhet të vazhdojë punën…

Lajme

11/09/2025 16:16

Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal dhe deputeti, Elbert Krasniqi ka deklaruar se i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të mos marrë për bazë ankesën e Listës Serbe.

Sipas tij, kjo do të prishte balancin e respektimit të të drejtave të të gjithë komuniteteve joshumicë.

Ai tha se Kuvendi duhet të vazhdojë punën dhe se asnjë komunitet s’mund t’i shfrytëzojë ulëset për të sjellë bllokadë.

“Kemi kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të mos marrë për bazë ankesën e Listës Serbe, sepse kjo do të prishte balancin e respektimit të të drejtave të të gjithë komuniteteve jo shumicë dhe përfaqësimin në institucionet e vendit. Ne vlerësojmë që Kuvendi duhet të vazhdojë punën dhe asnjë komunitet nuk mund t’i shfrytëzojë ulëset e garantuara për të sjellë bllokadë, aq më tepër Lista Serbe”, tha Krasniqi në konferencë për media në emër të Grupit Multietnik në Kuvendin e Kosovës.

Më 5 shtator, Gjykata Kushtetuese miratoi masën e përkohshme të kërkuar nga Lista Serbe.

Sipas vendimit të Kushtetueses, masa e përkohshme është vendosur nga 5 deri më datën 30 shtator, ashtu që deputetëve u ndalohet çdo veprim si dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë.