Krasniqi: LDK-së i duhen zgjedhjet e brendshme për t’u ringritur
Ish-deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi ka deklaruar se partisë së saj i duhen zgjedhjet e brendshme, jo por t’u ndarë, por për t’u ringritur. Sipas saj, Kuvendi i jashtëzakonshëm që do të mbahet të enjten, duhet të jetë fillimi i një procesi të ri demokratik, që e rikthen besimin e anëtarësisë dhe e forcon partinë…
Lajme
Ish-deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi ka deklaruar se partisë së saj i duhen zgjedhjet e brendshme, jo por t’u ndarë, por për t’u ringritur.
Sipas saj, Kuvendi i jashtëzakonshëm që do të mbahet të enjten, duhet të jetë fillimi i një procesi të ri demokratik, që e rikthen besimin e anëtarësisë dhe e forcon partinë për sfidat që e presin.
“Pas rezultateve të fundit zgjedhore, nuk mjafton të ndryshojmë fjalët apo retorikën. Ka ardhur koha të ndryshojmë mënyrën se si funksionojmë, si marrim vendime dhe si ndërtojmë besimin brenda LDK-së”, ka thënë Krasniqi.
Sipas saj, LDK-ja ka nevojë për zgjedhje të lira, të ndershme dhe gjithëpërfshirëse, ku vendimin e merr anëtarësia dhe ku vlerësohen puna, kontributi, integriteti dhe besimi që secili ka fituar ndër vite.
“Në politikë, matësi i vetëm është vota dhe besimi i qytetarëve. Askush nuk duhet të vlerësohet nga afërsia me udhëheqësin apo me individë të caktuar, por nga mbështetja që gëzon te anëtarësia dhe te qytetarët”, ka thënë ajo.
“Partitë politike nuk mbahen me shoqëri e rrethe të ngushta. Ato mbahen nga njerëzit që i kanë qëndruar pranë në ditët e mira e të vështira, nga aktivistët që kanë punuar pa u kursyer dhe nga votuesit që ua kanë besuar votën”, ka shtuar ish-deputetja e LDK-së.
Ajo ka bërë thirrje anëtarësisë që të votojë për fatin e partisë.
“Le të vendosë anëtarësia. Pikërisht këta duhet ta kenë fjalën vendimtare për drejtimin e LDK-së. Le të jetë demokracia ajo që përcakton këtë drejtim të ardhshëm”, ka thënë ajo.
“Po ashtu, LDK-ja nuk është pronë e askujt. Ajo është shtëpia jonë e përbashkët politike, e ndërtuar me sakrificën dhe përkushtimin e shumë brezave, ndaj e ardhmja e saj duhet të vendoset nga ata që e mbajnë gjallë çdo ditë me punën, besimin dhe votën e tyre”, ka thënë Krasniqi.
“Ky nuk është një qëndrim për interesa personale dhe as kundër askujt”, ka shtuar ajo.
Ajo ka bërë thirrje për një LDK më të bashkuar, më demokratike dhe më të fortë, ku secili ka mundësi të ecë përpara falë punës, meritës dhe besimit që gëzon te anëtarësia.
“LDK-ja duhet të ndryshojë që të ringritet fuqishëm, sepse Republika e Kosovës ka nevojë për një LDK të fortë, demokratike dhe fituese. Kur fiton demokracia brenda LDK-së, fiton edhe LDK-ja. E kur fiton LDK-ja, fiton Kosova”, ka shtuar ajo.