​Krasniqi: Kurti po instrumentalizon policinë në veri për qëllime elektorale

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për instrumentalizim të Policisë së Kosovës në veri për qëllime elektorale. Ai në një intervistë për KosovaPress thotë se Kosova nuk duhet të ketë një “luftë” për kontroll territorial në veri, pasi nevojitet fitimi i një beteje politike dhe diplomatike, pasi…

Lajme

21/09/2024 11:34

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për instrumentalizim të Policisë së Kosovës në veri për qëllime elektorale.

Ai në një intervistë për KosovaPress thotë se Kosova nuk duhet të ketë një “luftë” për kontroll territorial në veri, pasi nevojitet fitimi i një beteje politike dhe diplomatike, pasi pa aleatët ndërkombëtarë nuk mund të imponohet asgjë.

Përkitazi me këtë, Krasniqi thekson se Kurti në mungesë të projekteve zhvillimore gjatë mandatit katërvjeçar po merret me tema populiste.

Krahas këtyre, kryetari i PDK-së kërkon që ri-integrimi i komunitetit serb në institucione në veri të ndodhë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën, ndërkaq kërcënimet e presidentit serb Aleksandër Vuçiq i konsideron vetëm shou politik.

“Ne mund të themi se ka kontroll policor më shumë sot atje. Sovranitet ka ashtu siç ka pasur në të kaluarën. Gjatë kësaj periudhe ka pasur një tentim të cenimit të sovranitetit me sulmin terrorist në Banjskë, i cili për hir të policisë është shmangur dhe ka rezultuar me një situatë të re. Ajo çka i takon Kosovës si një shtet demokratik, liberal dhe modern është që të krijohen kushte që të gjithë qytetarët të ndihen të barabartë. Andaj instrumentalizim, siç është thënë edhe nga Departamenti Amerikan, i policisë për të arritur qëllime momentale për fushatë zgjedhore nuk është i mjaftueshëm. Kjo është evidente, veprimet që po ndërmerren në situata të caktuara kanë dëshmuar një gjë të tillë”, tha ai.

Krasniqi potencon se ura e Ibrit nuk mund të hapet për qarkullim për automjete pa mbështetjen e partnerëve strategjikë të Kosovës. Sipas tij, një gjë të tillë e ka ditur edhe kryeministri Kurti, por për qëllime elektorale ka tentuar të fitojë ndonjë votë për zgjedhjet e 9 shkurtit.