Krasniqi: Alban Krasniqi e Sami Kurteshi s’i njohin as ligjet elementare, kanë raste të grumbulluara për t’i shkarkuar nga detyra

Albert Krasniqi nga Demokracia Plus, është deklaruar në lidhje me zhvillimet e fundit në KQZ, e ndër të tjerash specifikisht për dy anëtarët e Komisionit Qendror Zgjedhor nga radhët e VV-së. Krasniqi deklaroi se anëtarët e KQZ-së betohen se do t’i kryejnë detyrat me ndershmëri, paanshmëri dhe profesionalizëm dhe se Ligji parasheh se mandati i…

Lajme

03/12/2025 11:05

Albert Krasniqi nga Demokracia Plus, është deklaruar në lidhje me zhvillimet e fundit në KQZ, e ndër të tjerash specifikisht për dy anëtarët e Komisionit Qendror Zgjedhor nga radhët e VV-së.

Krasniqi deklaroi se anëtarët e KQZ-së betohen se do t’i kryejnë detyrat me ndershmëri, paanshmëri dhe profesionalizëm dhe se Ligji parasheh se mandati i një anëtari mund të ndërpritet kur sjelljet apo veprimet e tij e dëmtojnë seriozisht statusin dhe integritetin e Komisionit.

“Një vendim i tillë merret me shumicën prej dy të tretave (2/3) të anëtarëve të KQZ-së”,deklaroi ai.

Sipas tij, dy anëtarët e emëruar nga Vetëvendosje, që janë Alban Krasniqi dhe Sami Kurteshi kanë shfaqur sjellje që ose tregojnë mosnjohje elementare të ligjeve, ose synim të ndërgjegjshëm për të dëmtuar procesin zgjedhor.

“Çdo njëra prej këtyre mjafton për t’i shkarkuar nga detyra – dhe rastet e grumbulluara deri më tani janë të shumta. Ndërsa anëtarët tjerë duhet të tregojnë më shumë guxim dhe t’i qëndrojnë prapa betimit të dhënë për paanshmëri dhe profesionalizëm”,shtoi Krasniqi, transmeton lajmi.net.

Ai tha se mjafton të lexohen reagimet e fundit të shteteve mike të Kosovës për të kuptuar qartë se si po vlerësohen veprimet e tyre destruktive.

“Këta dy anëtarë po i shkaktojnë dëm të drejtpërdrejtë integritetit të KQZ-së dhe besimit publik në procesin zgjedhor”,shtoi ai./Lajmi.net/