KQZ: Zgjedhjet po zhvillohen qetë, pjesëmarrja bie në 22.74% deri në orën 15:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se procesi zgjedhor në të gjithë vendin po vazhdon të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa probleme që do të ndikonin në mbarëvajtjen e votimit. Në një konferencë për media, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se qendrat e votimit po funksionojnë normalisht, ndërsa po…

Lajme

07/06/2026 15:44

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se procesi zgjedhor në të gjithë vendin po vazhdon të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa probleme që do të ndikonin në mbarëvajtjen e votimit.

Në një konferencë për media, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se qendrat e votimit po funksionojnë normalisht, ndërsa po pranohen vazhdimisht raportime kryesisht teknike, të cilat nuk kanë ndikuar në procesin zgjedhor.

“Procesi zgjedhor po zhvillohet qetë dhe pa ndonjë vërejtje serioze”, u shpreh Radoniqi.

Sipas të dhënave preliminare të KQZ-së, deri në orën 15:00 kanë votuar gjithsej 445 mijë e 622 qytetarë, që përbën 22.74% të 1 milion e 959 mijë e 962 votuesve me të drejtë vote.

Krahasuar me zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të 28 dhjetorit 2025, kur deri në të njëjtën orë kishin votuar 29.29% e qytetarëve, ose rreth 585 mijë e 635 votues nga 1 milion e 999 mijë e 204 votues, këtë vit vërehet rënie e pjesëmarrjes në votime.

Procesi zgjedhor pritet të vazhdojë deri në mbylljen e qendrave të votimit në mbrëmje, ndërsa KQZ ka theksuar se do të publikojë të dhëna të reja gjatë ditës. /Lajmi.net/