KQZ shpalli rezultatet përfundimtare

Shifrat e dhëna nga KQZ’ja, në një konferencë shtypi, të mbajtur në orët e mbrëmjes, nuk sjellin ndonjë befasi, pasi përqindja e kandidatëve mbetet pothuajse e njëjtë. Vetëm saktësohet se në balotazh në Vushtrri dhe Klinë shkojnë kandidatët e AAK'së.

Lajme

14/11/2013 21:19

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas gati dy javësh, ka shpallur rezultatet përfundimtare për Kryetar të Komunave, sipas votimeve të bëra më 3 nëntor.

Shifrat e dhëna nga KQZ’ja, në një konferencë shtypi, të mbajtur në orët e mbrëmjes, nuk sjellin ndonjë befasi, pasi përqindja e kandidatëve mbetet po ajo e rezultateve preliminare.

Këto rezultate i kanë dhënë fund se kush do të shkojë në balotazh në komunën e Vushtrrisë, ku ishin shumë afër kandidati i AAK’së dhe ai i LDK’së. Por, sipas rezultateve finale, në balotazh për këtë komunë megjithatë shkon Muharrem Shabani nga koaliconi AAK’së.

Edhe në Klinë në balotazh shkojnë PDK dhe AAK. Në këtë komuna për shkak të rezultatit të ngushtë deri sot nuk dihej se kush do të shkonte në balotazh: AAK apo LDK. Rezultatet finale i kanë dhënë epilog edhe kësaj çështjeje.

Në Suharekë nuk ka ndonjë ndryshim, pasi në balotazh do të përballet kandidati i LDK’së dhe ai i AAK’së. Po ashtu, në Malishevë balotazhi do të jetë në mes të Kandidatit të Iniciativës Qytetare dhe atij të LDK’së.

Sipas Rezultateve përfundimtare vetëm në 14 komuna kandidatët kanë fituar në raundin e  parë. Ndërsa në 23  komuna të tjera do shkohet në balotazh më 1 dhjetor.

Rezultati final i zgjedhjeve të 3 nëntorit i ka dhënë fitore në raundin e parë Partisë Demokratike të Kosovës në katër komuna: Drenas -Nexhat Demaku, Skenderaj – Sami Lushtaku, Kaçanik- Besim Ilazi dhe Shtime – Naim Ismaili.

Lidhja Demokratike e Kosovës, në raundin e parë, ka fituar në tri komuna: Istog – Haki Rugova, Fushë Kosovë – Burim Berisha dhe Podujevë- Agim Veliu.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dalë fituese vetëm në Deçan – Rasim Selmanaj. Partia Turke KTAP në Mamushë – Arif Bytyq. Në Han te Elezit ka fituar kandidati i pavarur Refki Suma.

Në tri komunat veriore fitues kanë dalë kandiadtët e Iniciativës Qytetare Serbe: në Zveçan -Vuqina Jankovic, në Leposavic – Dragan Jablanovic dhe Zubin Potok -Stevan Vulovic.

Është qartësuar gjithashtu edhe rezultati në Malishevë ku Iniciativa Qytetare për Malishevën do të jetë në balotazh me LDK’në.

Në balotazh do të shkojnë 23 komuna.

Për Komunën e Mitrovicë së Veriut rezultatet përfundimtare do të  dihen me 17 nëntor ku do të rivotohet në tri qendrat kryesore.

Pjesëmarrja  e përgjithshme në zgjedhjet e 3 nëntorit  në nivel të Kosovës 46.34.

Kryetarja e Komisionit qendror të Zgjedhjeve Valdete Daka ka njoftuar se

Komisioni Qendror Zgjedhor nuk ka miratuar kërkesën e OSBE’së që votat në komunat në veri, nga rivotimet e 17 nëntorit të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.