KQZ planifikon që sot të përfundojë rinumërimin e 314 vendvotimeve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), më 9 tetor kishte marrë vendim për rinumërimin e 314 vendvotimeve.
![](https://lajmi.net/wp-content/uploads/2019/10/22894150_1667763556631182_8991843460789192033_n.jpg)
Lajme
Kanë kaluar gjashtë ditë qëkur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), me rekomandim të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve (QNR), kishte marrë vendim që të kthejë në rinumërim 314 vendvotime nga zgjedhjet e 6 tetorit.
Kanë kaluar gjashtë ditë që nga ky vendim dhe ende nuk ka përfunduar rinumërimi i 314 vendvotimeve.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për lajmi.net, se deri të hënën në mesnatë janë rinumëruar 253 vendvotime.
“Deri të hënën në mesnatë janë rinumëruar 253 vendvotime nga 314 sa është numri i përgjithshëm i tyre, për të cilat ka vendosur KQZ-ja”, ka treguar Elezi.
Ai ka thënë se janë duke bërë përpjekje që i gjithë rinumërimi të përfundojë gjatë ditës së sotme.
“Pra janë rinumëruar 80% e vendvotimeve dhe po planifikojmë që rinumërimi i pjesës së mbetur të vendvotimeve, 61 sosh, të përfundojë gjatë ditës së sotme”, u shpreh Elezi. /Lajmi.net/