KQZ: Pas shqyrtimit të ankesave, do të procedojmë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit

Me datë 7 qershor të këtij viti, qytetarët e Kosovës i janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur kryeministrin e vendit dhe 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët pak muaj më parë dështuan ta zgjedhin Presidentin/en e vendit.  Ky dështim dërgoi vendin në zgjedhje të parakohshme. Pas votimit, procesi i numërimit të…

Lajme

22/06/2026 09:49

Me datë 7 qershor të këtij viti, qytetarët e Kosovës i janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur kryeministrin e vendit dhe 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët pak muaj më parë dështuan ta zgjedhin Presidentin/en e vendit.  Ky dështim dërgoi vendin në zgjedhje të parakohshme.

Pas votimit, procesi i numërimit të votave ka përfunduar më 17 qershor të këtij viti, duke i hapur rrugën ankesave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në lidhje me rezultate.

Afati për t’i dorëzuar këto ankesa ka zgjatur dy ditë, dhe ka përfunduar të dielën më datë 21 qershor të këtij viti.

Shqyrtimi i këtyre ankesave do t’i hapë rrugën më pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të këtyre zgjedhjeve.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për lajmi.net se janë në pritje të përfundimit të shqyrtimit të këtyre ankesave.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave dhe vendimmarrjen e institucioneve përkatëse para se të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Pas marrjes së këtyre vendimeve, mbetet të shihet nëse ato përmbajnë obligime konkrete për KQZ-në”, ka deklaruar Elezi.

Gjatë afatit dy ditor për dorëzimin e ankesave, janë dorëzuar vetëm dy ankesa.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka afat tri ditë për të marrë vendim lidhur me to.

Të dyja ankesat janë paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës. Njëra është dorëzuar të premten, ndërsa tjetra të shtunën.

Pas vendimit të PZAP-së, palët kanë të drejtë që t’i dorëzojnë ankesat e tyre edhe në Gjykatë Supreme, proces që përsëri mund të vonojë shpalljen e rezultateve përfundimtare.

Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare dhe certifikimit të tyre, pritet që të konstituohet Kuvendi, të formohet Qeveria dhe më pas të zgjidhet Presidenti. Në rast se hapi i fundit nuk përfundon me sukses, vendi përsëri mund të shkoj në zgjedhje.

Deri tani, nuk është bërë publike ndonjë marrëveshje mes partive politike ndërkaq nuk janë vënë vija të kuqe nga asnjëra prej tyre. /Lajmi.net/