KQZ: Partitë kanë kohë deri më 13 gusht të dorëzojnë listat e kandidatëve
Ndonëse mund të fillojnë edhe më herët por partitë tona politike, duket se po veprojnë si në çdo proces tjetër zgjedhor, duke lënë për ditët e fundit dorëzimin e listës së kandidatëve me të cilët do të garojnë në Zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale. Aktualisht e vetmja parti e cila ka publikuar…

Lajme
Ndonëse mund të fillojnë edhe më herët por partitë tona politike, duket se po veprojnë si në çdo proces tjetër zgjedhor, duke lënë për ditët e fundit dorëzimin e listës së kandidatëve me të cilët do të garojnë në Zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.
Aktualisht e vetmja parti e cila ka publikuar listën me emrat e të gjithë kandidatëve me të cilët do të garojë në zgjedhjet për të drejtuar komuna të ndryshme të vendit është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ndërsa LVV, PDK, dhe AAK, janë në kërkim të kandidatëve, e që në numër janë shumëfish më shumë se në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, pasi bëhet fjalë për dy lloje të zgjedhjeve, për të parin e komunës dhe për asambleistët.
Anipse pothuajse do të jetë i hapur dy muaj partitë politike nuk po e kanë problem ta shtyjnë duke mos i dorëzuar më herët listat e kandidatëve, madje në një prononcim për lajmi.net, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se afati i hapur më 26 qershor për aplikim online do të përfundojë më 13 gusht 2025.
“Afati i fundit për aplikim online në KQZ për certifikimin e subjekteve politike që duan të marrin pjesë në Zgjedhjet Lokale është data 13 gusht. Brenda këtij afati, subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë edhe listën me emrat e kandidatëve për kryetarë komunash dhe për anëtarë të kuvendeve komunale”, ka thënë Elezi.
Tutje siç thotë Elezi, është në vullnetin e subjekteve politike që të përcaktohen për llojin e zgjedhjeve dhe për komunat në të cilat duan të garojnë.
“Subjektet politike kanë të drejtën e plotë të vendosin në cilat komuna do të marrin pjesë në zgjedhje. Po ashtu, ato përcaktojnë vetë nëse do të garojnë vetëm në Zgjedhje për Kryetar Komune ose për Kuvend Komunal apo për të dyja njëkohësisht në një komunë të caktuar”, tha Elezi.
Ndërkaq zgjedhjet lokale të rregullta do të mbahen me 12 tetor 2025 , të cilat janë të tetat me radhë për kuvende komunale dhe të gjashtat me radhë për kryetarë të komunave. /Lajmi.net/