KQZ njofton se po vazhdon periudha për kundërshtimin e pasaktësive në Listën Preliminare Votuese për zgjedhjet e ardhshme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se është duke vazhduar periudha për kundërshtimin e pasaktësive në Listën Preliminare Votuese, për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025. “Gjatë kësaj periudhe, e cila përfundon më 28 dhjetor 2024, çdo person me të drejtë vote që nuk figuron në Listën Votuese,…

Lajme

06/11/2024 11:47

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se është duke vazhduar periudha për kundërshtimin e pasaktësive në Listën Preliminare Votuese, për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.

“Gjatë kësaj periudhe, e cila përfundon më 28 dhjetor 2024, çdo person me të drejtë vote që nuk figuron në Listën Votuese, është caktuar gabimisht në qendër tjetër të votimit apo ka të dhëna të tjera të pasakta, mund të kërkojë nga KQZ rishikimin e saj përmes sistemit elektronik apo duke u paraqitur në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën përkatëse”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Gjatë kësaj periudhe votuesi mund ta kundërshtojë pasaktësinë e Listës Preliminare të Votuese edhe për ndonjë emër të votuesit për të cilin pretendon se nuk duhet të figurojë në këtë listë, përfshirë edhe rastet kur në këtë listë figuron emri i ndonjë personi të vdekur.

Bëhet e ditur se në këtë rast, ankesa duhet të parashtrohet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.