KQZ ndryshon rregulloren për regjistrimin e votimin nga diaspora
Komisioni Qendror Zgjedhor ka miratuar plotësim-ndryshimin e Rregullores Zgjedhore sa i përket regjistrimit dhe votimit jashtë Kosovës. Ndryshimi i parë ka të bëjnë mbi regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, ku të njëjtit tani e tutje duhet që regjistrimin ta bëjnë me fotografi në kohë reale përmes platformës së KQZ-së. Ndryshimi tjetër ka të bëjë me…

Lajme
Komisioni Qendror Zgjedhor ka miratuar plotësim-ndryshimin e Rregullores Zgjedhore sa i përket regjistrimit dhe votimit jashtë Kosovës.
Ndryshimi i parë ka të bëjnë mbi regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, ku të njëjtit tani e tutje duhet që regjistrimin ta bëjnë me fotografi në kohë reale përmes platformës së KQZ-së.
Ndryshimi tjetër ka të bëjë me dërgimin e fletëvotimit përmes postës te secili mërgimtar që regjistrohen për të votuar dhe jo shkarkimi i tyre përmes platformës elektronike.
Megjithëse këto ndryshime u thanë se përmbajnë kosto më të lartë buxhetore, u theksua se e njëjta do të rrisë integritetin e procesit zgjedhor.
Kjo rregullore do të vlejë edhe për zgjedhjet lokale dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare kurdo që ato do të mbahen.
Anëtari i Komisionit Qendror Zgjedhor nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Arianit Elshani, tha se nevoja e plotësim-ndryshimit të kësaj rregulloreje është ngritur si pasojë e dilemave në lidhje me integritetin e procesit zgjedhor jashtë vendit në zgjedhjet e fundit parlamentare.
“Duke marrë parasysh të gjitha dyshimet dhe dilemat e ngritura në lidhje me integritetin e procesit zgjedhor jashtë vendit, si anëtarë të KQZ-së kemi ardhur në konkluzione se kjo procedurë duhet të ndryshohet. Po flasim për procedurën e regjistrimit jashtë Kosovës dhe votimit të këtyre që regjistrohen si votues jashtë Kosovës. Një ka të bëjë me procesin e regjistrimit të votuesve jashtë vendit. Regjistrimi tash e tutje do të bëhet me fotografi me kohë reale. Asnjë qytetar nuk mundet të ngarkojë një fotografi të bërë para 3-4 muajsh, por do të mundësohet përmes platformës që të bëhet në kohë reale bashkë me letërnjoftimin në dorë. Po ashtu një ndryshim tjetër është dërgimi i fletëvotimeve me postë të secili qytetarë që jeton jashtë Kosovës. Përmes shërbimit postar që do të kontraktohet nga KQZ-ja do të mundësohet që personi që regjistrohet për të votuar jashtë Kosovës do t’i shkojë fletëvotimi përkatës bashkë me zarfin kthyes kudo që jeton. Këto janë dy ndryshimet që janë bërë në kuadër të kësaj rregullore”, tha ai.