KQZ mbyll zyrtarisht numërimin e votave me postë, përpunohen 223 kuti me fletëvotime të diasporës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka përmbyllur numërimin e fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht atyre të dërguara përmes postës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit. Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka bërë të ditur se procesi ka përfunduar sot në orën 14:30 në Qendrën…
Lajme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka përmbyllur numërimin e fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht atyre të dërguara përmes postës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka bërë të ditur se procesi ka përfunduar sot në orën 14:30 në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Sipas KQZ-së, nga fillimi i numërimit më 12 qershor në orën 21:00 e deri në përfundimin e tij më 17 qershor, janë numëruar gjithsej 223 kuti votimi, në të cilat ishin vendosur zarfet me fletëvotime të aprovuara më herët nga Shërbimi Votues i KQZ-së.
“Të dhënat janë përditësuar në platformën e rezultateve të KQZ-së”, thuhet në njoftim.
Votimi përmes postës ishte zhvilluar nga 21 maji deri më 6 qershor 2026, ndërsa rreth 105 mijë shtetas të Kosovës ishin regjistruar për të votuar në këtë mënyrë.
Ndërkaq, KQZ kishte përmbyllur më 14 qershor procesin e vlerësimit të pakove me fletëvotime të ardhura nga diaspora. Nga gjithsej 85,790 pako të supozuara me fletëvotime, janë aprovuar 82,809, ndërsa 2,981 janë refuzuar.
Pas përfundimit të këtij procesi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon me fazat e tjera procedurale deri në certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit. /Lajmi.net/