KQZ konfirmon vjedhjen e xhirimeve
Kryeshefi Ekzekutiv i KQZ’së, Enis Halimi, ka përgënjeshtruar lajmin se është vjedhur hardueri i kamerave në Qendrën e Numërimit të Votave. Mirëpo, VV e thotë të kundërtën.

Lajme
(E Plotësuar)
Anëtari i KQZ’së nga radhët e LDK’së Florian Dushi ka konfirmuar për Kosovapress se janë vjedhur xhirimet e kamerave të hyrjeve dhe daljeve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, por jo xhirimet që kanë të bëjnë me procesin e numërimit nga afër.
Dushi ka thënë se ato që janë vjedhur janë xhirimet e kamerave që xhirojnë hapësirat në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
“Jo, jo s’ka të bëjë me atë. Monitorime po, por ajo nuk është monitorim i afërt, është kryesisht monitorim i hyrje-daljeve, por jo monitorim i procesit që zhvillohet aty”, ka thënë Dushi për Kosovapress.
Sipas tij, monitorimi që bëhet nga distanca, ku janë diku gjashtë apo shtatë kamera në hyrje-dalje për shkak të sigurisë.
Ai ka thënë se KQZ së shumë shpejt pritet të sqarojë gjithçka rreth kësaj ngjarje.
(Kosovapress)
______________________
Është përgënjeshtruar lajmi për vjedhjen e harduerit të kamerave në Qendrën e Numërimit të Votave.
Kryeshefi ekzekutiv i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Enis Halimi, e ka cilësuar si dezinformatë lajmin se është vjedhur hardueri i kamerave në Qendrën e Numërimit të Votave. Ai ka thënë për Klan Kosovën, se kjo informatë nuk është e vërtetë.
Por në anën tjetër, përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi deklaron ndryshe. Rrustemi ka thënë për lajmi.net se kjo informatë i është konfirmuar nga koordinatori i Qendrës së Numrimit të Rezultateve, Burim Ahmetaj.
Lajmi.net ka provuar për të kontaktuar me Ahmetajn, por telefoni i tij ka qenë i mbyllur gjatë tërë kohës.