KQZ gati për shpalljen e rezultateve përfundimtare, pret kalimin e afatit për ankesa

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se pas përfundimit të procesit të numërimit të votave, shpallja e rezultateve përfundimtare varet nga afati ligjor për paraqitjen e ankesave lidhur me administrimin e procesit të numërimit. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se e drejta për ankesë lidhur me administrimin në Qendrat Komunale të…

Lajme

17/06/2026 19:03

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se pas përfundimit të procesit të numërimit të votave, shpallja e rezultateve përfundimtare varet nga afati ligjor për paraqitjen e ankesave lidhur me administrimin e procesit të numërimit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se e drejta për ankesë lidhur me administrimin në Qendrat Komunale të Numërimit dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka qenë e garantuar gjatë gjithë procesit, ndërsa palët kanë mundur t’i drejtohen institucioneve përkatëse brenda afatit të përcaktuar ligjor.

Sipas tij, për administrimin e numërimit në ditën e fundit, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme parasheh që ankesat të dorëzohen me shkrim në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar.

“Në rast se brenda 48 orëve nuk do të ketë ankesa lidhur me administrimin e numërimit në ditën e fundit, KQZ është e gatshme të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare. Ndërsa nëse do të ketë ankesa, atëherë KQZ do të presë vendimmarrjen e institucioneve përkatëse dhe do të zbatojë vendimet nëse ato e obligojnë KQZ-në. Vetëm pas përfundimit të këtyre procedurave mund të shpallen rezultatet përfundimtare”, ka deklaruar Elezi.

Kështu, procesi zgjedhor tashmë ka hyrë në fazën përmbyllëse, ndërsa shpallja zyrtare e rezultateve përfundimtare do të varet nga zhvillimet në afatin e ankesave dhe vendimet eventuale të institucioneve kompetente. /Lajmi.net/