​KQZ: Do të verifikohen kandidatët për deputetë të zgjedhjeve të 28 dhjetorit

Deri të dielën në mesnatë, pra më 7 dhjetor, subjektet politike kanë afat që të dorëzojnë listën me emrat e kandidatëve me të cilët do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Por, pas aplikimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në bashkëpunim me institucione të ndryshme të shtetit, do të verifikojë përshtatshmërinë e…

Lajme

04/12/2025 11:17

Deri të dielën në mesnatë, pra më 7 dhjetor, subjektet politike kanë afat që të dorëzojnë listën me emrat e kandidatëve me të cilët do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Por, pas aplikimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në bashkëpunim me institucione të ndryshme të shtetit, do të verifikojë përshtatshmërinë e kandidatëve për tu certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se varësisht nga kërkesat e ligjit, KQZ do të përcjellë në këto institucione listat e kandidatëve për deputetë me qëllim të verifikimit të tyre.

“Në përmbushje të detyrimeve ligjore lidhur me përshtatshmërinë, aftësinë e kandidatëve për t’u certifikuar, KQZ, nëpërmjet Zyrës, do të dorëzojë në disa institucione kërkesat e veçanta së bashku me listën e kandidatëve që duan të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje, me qëllim të verifikimit të tyre nëse janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme… 3:42 Me qëllim të zbatimit të këtij neni, KQZ u dërgon shkresë disa institucioneve për të vërtetuar nëse ndonjëri nga kandidatët nuk mund të certifikohet si kandidat për pjesëmarrje në zgjedhje”, tha Elezi.

Mes shumë ndalesave që parasheh ligji, është edhe kufizimi se kandidat nuk mund të jetë një person që është i dënuar në 3 vitet e fundit me vendim të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv. Sipas KQZ-së, edhe kjo e kaluar e kandidatëve do të verifikohet.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës është njëri prej institucioneve që KQZ-ja do të kërkojë verifikim të kandidatëve. Në nenin 30 të ligjit për zgjedhje të përgjithshme, theksohet se kandidat nuk mund të jetë një person nëse është dënuar në 3 vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv. Prandaj, me qëllim të zbatimit të këtij përcaktimi ligjor, do të kërkojmë nga KGjK-ja që të verifikojë listën e kandidatëve nëse ndonjëri prej tyre nuk është në përputhje me këtë kufizim ligjor”, tregoi Elezi.

Sipas nenit 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, një person nuk mund të certifikohet si kandidat për deputet i cili ka funksion të veçantë në bazë të Ligjit në fuqi për zyrtarët publikë; është anëtar i shërbimit të jashtëm dhe përfaqësues diplomatik; kryesues apo anëtar i KQZ-së dhe Komisionit Komunal të Zgjedhjeve; është zyrtar i PZAP-së; me anë të vendimit të gjykatës, përfshirë edhe vendimin e PZAP-it, i është hequr e drejta për të qenë kandidat; është dënuar në tre vjetët e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv; ka dështuar të paguajë gjobën e vënë nga PZAP-i, apo KQZ-ja ose ka dështuar t’i përmbahet ndonjë urdhri të PZAP-it.