KQZ certifikon rezultatet, por jo për tri komuna që presin vendimin e Gjykatës Supreme – 15 komuna të tjera shkojnë në balotazh
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar të shtunën rezultatet përfundimtare të raundit të parë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, me përjashtim të tri komunave — Prishtinës, Junikut dhe Mamushës, ku rezultati do të shpallet pas vendimeve të Gjykatës Supreme. Sipas të dhënave të KQZ-së, 15 komuna do të shkojnë në balotazh më 9 nëntor,…
Lajme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar të shtunën rezultatet përfundimtare të raundit të parë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, me përjashtim të tri komunave — Prishtinës, Junikut dhe Mamushës, ku rezultati do të shpallet pas vendimeve të Gjykatës Supreme.
Sipas të dhënave të KQZ-së, 15 komuna do të shkojnë në balotazh më 9 nëntor, përfshirë: Prizrenin, Gjakovën, Gjilanin, Dragashin, Kaçanikun, Klinën, Fushë Kosovën, Mitrovicën e Jugut, Obiliqin, Rahovecin, Pejën, Suharekën, Vitinë, Vushtrrinë dhe Kllokotin, transmeton lajmi.net.
Në nivel vendi, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) prin me numrin më të madh të garave që do të vendosen në raundin e dytë — gjithsej në 11 komuna, pasuar nga LDK në 7 komuna, PDK në 6, AAK në 5, ndërsa Lista Serbe garon në një komunë, Kllokot.
Në raundin e parë, disa parti kanë siguruar fitore pa nevojën e balotazhit:
-
LVV-ja ka fituar në Kamenicë, Podujevë dhe Shtime.
-
PDK-ja ka fituar në Skenderaj, Ferizaj dhe Han të Elezit.
-
LDK-ja ka fituar në Istog dhe Lipjan.
-
AAK-ja ka siguruar fitoren në Deçan.
-
Nisma Socialdemokrate ka ruajtur Malishevën, ndërsa Ramiz Lladrovci ka konfirmuar fitoren në Drenas.
-
Lista Serbe ka fituar pa balotazh në nëntë komuna me shumicë serbe.
Pas përfundimit të procedurave gjyqësore, KQZ do të publikojë edhe rezultatet përfundimtare për komunat që aktualisht mbeten nën shqyrtim nga Gjykata Supreme./lajmi.net/