KQZ certifikon Listën Votuese, mbi 2 milionë qytetarë me të drejtë vote
Mbi dy milionë qytetarë kanë të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen më 7 qershor 2026. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi të premten Listën Votuese për këtë proces zgjedhor, në të cilën ka më shumë votues sesa banorë të regjistruar në Republikën e Kosovës e të cilët,…
Lajme
Mbi dy milionë qytetarë kanë të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen më 7 qershor 2026.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi të premten Listën Votuese për këtë proces zgjedhor, në të cilën ka më shumë votues sesa banorë të regjistruar në Republikën e Kosovës e të cilët, sipas Agjencisë së Statistikave, janë janë 1 milionë e 585 mijë e 590.
Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ-ja, numri i përgjithshëm i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote është 2,092,174 votues, apo 15,884 më shumë krahasuar me zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
Nga ky numër, 1,959,962 qytetarë do të mund të votojnë në vendvotimet brenda Kosovës, ndërsa 132,212 qytetarë janë regjistruar për të votuar jashtë vendit. Prej tyre, 100,970 janë regjistruar për votim përmes postës jashtë Kosovës, 3,518 përmes postës në Kosovë dhe 27,724 për votim fizik në përfaqësitë diplomatike.
KQZ-ja bëri të ditur se 22,685 qytetarë do të votojnë për herë të parë në këto zgjedhje. Prej tyre, 16,934 kanë mbushur moshën 18-vjeçare pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, ndërsa 5,751 janë regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil ose kanë rikthyer shtetësinë e Kosovës.
Sipas raportit, nga Lista e Votuesve janë larguar gjithsej 6,801 persona pas zgjedhjeve të fundit. Ky numër përfshin 6,165 persona të vdekur, 419 qytetarë që kanë humbur shtetësinë e Kosovës dhe 217 persona të larguar pas pranimit të të dhënave nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Procesi zgjedhor brenda vendit do të organizohet në 949 qendra votimi me gjithsej 2,550 vendvotime. Prej tyre, 911 qendra me 2,498 vendvotime do të shërbejnë për votimin e rregullt, ndërsa 38 qendra me 52 vendvotime do të mundësojnë votimin me kusht.
Ndërkaq, votimi jashtë vendit, përveç atij me postë, do të organizohet edhe në 30 përfaqësi diplomatike të Kosovës, përkatësisht në 17 ambasada dhe 13 konsullata, me gjithsej 47 vendvotime. Votimi fizik në këto përfaqësi do të mbahet më 6 qershor 2026. /