KQZ cakton kufirin e shpenzimeve për fushatë zgjedhore – 1 euro për çdo votues të regjistruar
Komisioni Qendror Zgjedhor është duke zhvilluar sot mbledhjen e radhës. Në këtë mbledhje, KQZ-ja ka marrë vendim për kufizimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore për subjektet politike që do të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës. Sipas vendimit të KQZ-së, një subjekt politik ka të drejtë të shpenzojë deri në 2,092,202 euro,…
Lajme
Komisioni Qendror Zgjedhor është duke zhvilluar sot mbledhjen e radhës.
Në këtë mbledhje, KQZ-ja ka marrë vendim për kufizimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore për subjektet politike që do të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.
Sipas vendimit të KQZ-së, një subjekt politik ka të drejtë të shpenzojë deri në 2,092,202 euro, pra një (1) euro për çdo votues të regjistruar.
Llogaritja në fjalë është bërë bërë duke u mbështetur në Rregulloren Zgjedhore nr. 07/2024 për fushatën zgjedhore, monitorimin dhe deklarimin financiar, si dhe në të dhënat e listës preliminare të votuesve, sipas së cilës numri i votuesve në vendin tonë është 2,092,202, transmeton lajmi.net.
Me këtë rast, Drejtori i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala ka sqaruar edhe procedurën.
“Siç e dini, sipas planit kohor, fushata zgjedhore do të fillojë më 28 maj 2026 dhe do të përfundojë më 7 qershor 2026, para hapjes së qendrave të votimit. Andaj, në përputhje me Rregulloren Zgjedhore nr. 07/2024 për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, kufizimi i shpenzimeve është llogaritur në 1 euro për votues. Në lidhje me bazën ligjore, Zyra i rekomandon KQZ-së që të aprovojë kufizimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore në vlerën prej 2,092,202 euro. Pra, kjo lidhet me numrin e votuesve në listën preliminare, sipas ekstraktit të marrë më 30 prill 2026”, tha ai./Lajmi.net/