KPK refuzon ankesën e Atdhe Demës për procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka refuzuar ankesën e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, Atdhe Dema, ndaj vlerësimit të marrë gjatë procesit të përzgjedhjes. Vendimi u mor me pesë vota për refuzimin e ankesës, një votë kundër dhe një abstenim. Dema kishte paraqitur ankesë në KPK, duke pretenduar shkelje të dispozitave ligjore në aspektin procedural…
Lajme
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka refuzuar ankesën e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, Atdhe Dema, ndaj vlerësimit të marrë gjatë procesit të përzgjedhjes.
Vendimi u mor me pesë vota për refuzimin e ankesës, një votë kundër dhe një abstenim.
Dema kishte paraqitur ankesë në KPK, duke pretenduar shkelje të dispozitave ligjore në aspektin procedural dhe material, si dhe mospërputhje ndërmjet poentimit dhe arsyetimit të dhënë nga Paneli Vlerësues.
Ai kishte kërkuar që ankesa të aprovohej si e bazuar dhe që Paneli Vlerësues të rishqyrtonte vlerësimin e tij, duke argumentuar se vlerësimi për intervistën dhe koncept-dokumentin nuk ishte mbështetur në fakte konkrete dhe arsyetim të mjaftueshëm.
Gjatë shqyrtimit të ankesës, zëvendëskryesuesi i KPK-së, Dardan Vuniqi, ka deklaruar se pretendimet e Demës për mungesë të arsyetimit nuk qëndrojnë.
Gjatë shqyrtimit të ankesës, anëtari i KPK-së, Milot Krasniqi, ka vlerësuar se kandidatit nuk mund t’i kërkohet të dorëzojë prova për të mbështetur ankesën e tij, pasi ai nuk ka pasur mundësi dhe qasje për t’i siguruar ato.
Sipas Krasniqit, KPK-ja duhet ta bëjë vlerësimin e ankesës vetëm mbi bazën e shtyllave dhe kritereve të përcaktuara të vlerësimit.
Ndërsa ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, gjatë diskutimit ka thënë se për të është me rëndësi të kuptohet se sa mundësi ka pasur Komisioni për të ushtruar kontroll efektiv mbi vlerësimin e vendosur.
Në anën tjetër, zëvendëskryesuesi i KPK-së, Dardan Vuniqi, ka deklaruar se ankesa e Demës nuk specifikon ndonjë shkelje procedurale apo materiale, por vetëm shpreh mospajtim me pikëzimin e marrë.
Sipas Vuniqit, vlerësimi i kandidatit është kompetencë e Panelit Vlerësues, ndërsa fakti që kandidati nuk pajtohet me rezultatin e vlerësimit nuk përbën, sipas tij, bazë për pranimin e ankesës.
Vuniqi ka theksuar gjithashtu se pretendimet për mungesë të arsyetimit të vlerësimit nuk qëndrojnë, duke thënë se pikët e marra nga Dema tregojnë se koncept-dokumenti i tij është vlerësuar me cilësi të lartë dhe se mosdhënia e pikëve maksimale nuk nënkupton mungesë arsyetimi.
Me këtë vendim, ankesa e Atdhe Demës është refuzuar dhe procesi i përzgjedhjes për Kryeprokuror të Shtetit vazhdon sipas procedurave të përcaktuara.
Po ashtu, në këtë takim, Këshilli Prokurorial i Kosovës autorizoi drejtorin e Sekretariatit të KPK-së, Sami Istrefi, për dhënien e komenteve dhe përfaqësimin e KPK-së në Gjykatën Kushtetuese lidhur me rastin për konkursin për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, të cilin e ka dërguar Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj./BetimipërDrejtësi/