Qytetarët raportuesit më të mëdhenj të korrupsionit, prokuroritë vetëm 4 raste i kanë iniciuar me vetiniciativë- KPK me detaje

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka miratuar me shtatë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim Raportin vjetor të Komisionit Ad-Hoc Mbikëqyrës për zbatimin e Planit Strategjik dhe Planit të Veprimit për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike për vitin 2025, së bashku me rekomandimet e dhëna. Raporti evidenton gjendjen e trajtimit të rasteve të…

Lajme

19/06/2026 14:29

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka miratuar me shtatë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim Raportin vjetor të Komisionit Ad-Hoc Mbikëqyrës për zbatimin e Planit Strategjik dhe Planit të Veprimit për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike për vitin 2025, së bashku me rekomandimet e dhëna.

Raporti evidenton gjendjen e trajtimit të rasteve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike në të gjitha prokuroritë e vendit, ndërsa nxjerr në pah se Prokuroria Themelore në Gjilan ka shënuar përqindjen më të lartë në trajtimin e kallëzimeve penale për korrupsion dhe krime ekonomike.Anëtarja e KPK-së, Elza Bajrami-Kastrati, e cila prezantoi raportin, tha se dokumenti përfshin analizën e veprave penale të korrupsionit dhe krimeve ekonomike, trajtimin e rasteve, krahasimet ndër vite dhe rekomandimet përkatëse.

“Raporti ka të bëjë me dy grupe të veprave penale të cilat janë kategorizuar në grupin e veprave penale të korrupsionit, ku përfshihen gjithsej 19 vepra penale, dhe grupin e veprave që përfshijnë krimet ekonomike dhe gjithsej janë 31 vepra penale. Prokuroritë, themelore si dhe prokuroria speciale, raportojnë mbi bazën e këtyre veprave, gjendjen e tyre për vitin 2025. Ky raport është përmbledhës për punën e trajtimit të rasteve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike për vitin 2025. Raporti përbëhet gjithsej nga katër pjesë. Pjesa e parë ka të bëjë me raportin e përgjithshëm mbi veprat penale të korrupsionit dhe krimeve ekonomike në të gjitha prokuroritë dhe Prokurorinë Speciale për vitin 2025. Pastaj pjesa e dytë ka të bëjë me trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike dhe ndonjë sfidë e krimeve ekonomike dhe korrupsionit që është në qeverisje për krimet e ndara në prokuroritë themelore në Prishtinë. Pjesa e tretë ka të bëjë me aspektin krahasimor për vepra penale të korrupsionit dhe krimeve ekonomike ndër vite, nga viti 2020 deri në vitin 2025 dhe pjesa e katërt ka të bëjë me konstatimet dhe rekomandimet”, tha ajo.

Duke prezantuar të dhënat për veprat penale të korrupsionit, Bajrami-Kastrati tha se shumica e kallëzimeve penale gjatë vitit 2025 janë paraqitur nga qytetarët.

“Sa i përket punës së prokurorive gjatë vitit 2025 në lidhje me veprat penale të korrupsionit, mund të themi se gjatë vitit 2025, shumicën e kallëzimeve penale që janë lidhur me veprat e korrupsionit i kanë paraqitur qytetarët, pastaj vijnë policia, pastaj vijnë organet publike dhe prokuroria me vetiniciativë është e shënuar me iniciativën nga të katër rastet. Mënyra e trajtimit, gjithësisht gjendja e trajtimit të kallëzimeve penale vitin 2025 ka filluar me 708 raste, pastaj janë pranuar 677, dhe janë proceduar 529 raste, ndërkaq 1027 kanë mbetur. Prej të gjitha prokurorive të cilat janë përfshira në raport, përjashtuar prokurorinë themelore dhe prokurorinë speciale, Prokuroria Themelore e Gjilanit prin me trajtimin e kallëzimeve penale 67%. Gjithashtu Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka numrin më të ulët të zgjidhjes së kallëzimeve penale. Prokuroria Themelore e Prizrenit është prokuroria e cila prin me ngritjen e aktakuzave sepse të gjitha rastet e korrupsionit kanë përfunduar me ngritjen e aktakuzave, ndërkaq Prokuroria Themelore në Pejë ka numrin më të ulët të aktakuzave për shkak se shumicën e rasteve i ka hedhur kallëzimet penale dhe ka pushuar hetimet”, tha ajo.Ajo shtoi se shumica e ankesave të palëve për mosveprim të prokurorëve brenda afatit ligjor janë aprovuar nga Prokuroria e Apelit.

“Prokuroria e Apelit, nga të gjitha rastet përkatësisht ankesat që i pranohen nga palët lidhur me hedhjen e kallëzimeve penale dhe pushimin e hetimeve në raste të korrupsionit, shumicën e tyre i aprovon dhe pastaj lëndët i dërgon për rishqyrtim në prokurori themelore apo prokurorinë speciale. Ndërkaq të gjitha ankesat e palëve për dështimin e prokurorëve në trajtimin e tyre brenda afatit 6 mujor janë aprovuar. Sa i përket vendimeve të gjykatës, në lidhje me këto vepra penale, në shumicën e rasteve kemi aktgjykime dënuese me përjashtim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ku përqindja dallon pak mes aktgjykimeve dënuese dhe atyre liruese. Ndërkaq kemi prokurori ku gjatë vitit 2025 nuk ka pasur të pranuara fare aktgjykime”, tha ajo.

Bajrami-Kastrati tha se Prokuroria Themelore në Gjilan ka përfunduar të gjitha rastet e kategorisë KPN gjatë vitit 2025.“Ndërkaq për rastet ku janë liruar, i kemi edhe të arsyetuara ankesat e paraqitura nga ana e prokurorëve. Në raport në lidhje me veprat e korrupsionit kemi pasur të paraqitura edhe lëndët e natyrës KPN, ku shumica e rasteve janë paraqitur përkatësisht lëndët KPN janë paraqitur nga policia, pastaj vijnë nga qytetarët, pastaj nga organet publike dhe prokuroria me vetë iniciativë. Ndërkaq Prokuroria Themelore në Gjilan është prokuroria e cila gjatë vitit 2025 e ka përfunduar punën me rastet KPN. Të gjitha rastet KPN të cilat kanë qenë në Prokurorinë Themelore në Gjilan janë bartur në lëndë të rregullta si trajtim i kallëzimeve penale, ndërkaq Prokuroria Themelore në Ferizaj është ajo që ka mbyllur numrin më të vogël të KPN-ve”, tha ajo.

Sa i përket krimeve ekonomike, ajo tha se shumica e kallëzimeve penale janë paraqitur nga Policia e Kosovës, ndërsa Gjilani sërish prin në trajtimin e rasteve.“Sa i përket krimeve ekonomike, edhe këtu të gjitha prokuroritë, edhe këtu rezulton që shumica e kallëzimeve penale vijnë nga policia, pastaj vijnë nga qytetarët, pastaj nga organet publike dhe prokuroria me vetë iniciativë. Viti 2025, ndër të tjera, rastet e krimeve ekonomike ka filluar me 507 lëndë, janë pranuar 345, janë proceduar 279 dhe kanë mbetur për trajtim në vitin 2026 gjithsej 696 raste. Prokuroria Themelore në Gjilan është ajo e cila ka proceduar numrin më të madh të kallëzimeve penale që i referohen krimeve ekonomike, ndërkaq Prokuroria Themelore në Mitrovicë edhe këtu ka numrin më të vogël të trajtimit të rasteve me kallëzim të natyrës së krimeve ekonomike. Sa i përket mënyrës së procedimit të personave, Prokuroria Themelore në Gjakovë këtu prin me ngritjen e aktakuzave”, tha ajo.