KoZova
Në një natë të qetë, rreth orës 11:00 të mbrëmjes, po ngisja veturën në një rrugë relativisht të re të kryeqytetit. I zhytur në muzikën që ndiqja në radio, më tërhoqi vëmendjen shpejtësia dhe zhurma e frenimit të një veture që po lëvizte në kahjen tjetër të rrugës.
Opinion
Shoferi tentonte të merrte drejtimin e duhur të cilin e humbi pas përpjekjeve për t’iu ikur automjeteve tjera që ecnin me shpejtësinë e lejuar. Pas dy përpjekjeve të dështuara për t’u kthyer në korsinë e tij, u përplas rrufeshëm në një shtyllë ndriçimi, në oazën në mes të rrugës, duke e thyer atë dhe duke e rrëzuar pak metra prapa veturës sime, shume pran të tjerave që po lëviznin pas meje.
Kështu, për pak sekonda, e gjithë ajo qetësi u shndërru në një makth. Për pak sekonda, relaksimi që ndjeja nga ngasja e qetë, e përcjellë me muzikë, mund të shndërrohej në fatkeqësi.
Vetura e aksidentuar u rrotullua përmbys. Mirëpo, ashtu siç nuk pritej nga e tëra që u pa në këtë aksident të frikshëm, ngasësi doli shpejtë nga vetura e tij dhe iku. Nuk dukej se pësoi lëndime serioze.
Aksidentet ndodhin gjithandej në botë, por shumë më pak në vendet e civilizuara. Përqindja e aksidenteve në vendet e treta, sipas statistikave, është shumëfish më e madhe sesa në vendet e Evropës Perëndimore, apo ato skandinave, edhe pse numri i automjeteve në qarkullim në këto të fundit është dukshëm më i madh.
Kosova në cilin grup radhitet? Në atë të Botës së Tretë apo vendeve në trasicion? Siç dihet, Kosova është në tranzicion, por shpesh nuk dihet se në çfarë drejtimi po lëvizë!?
Aksidente në trafik shohim gati për çdo ditë në media, për më keq, shumë prej tyre përfundojnë me fatalitet. Në bazë të statistikave të Policisë së Kosovës, numri i aksidenteve në vend, posaçërisht i atyre me fatalitet, është rritur këtë vit, krahasuar me vitin e kaluar. Vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti, sipas statistikave të Policisë së Kosovës, nga 46 aksidente kanë humbur jetën 50 persona, ndërsa numri i aksidenteve me lëndime është 2 mijë e 781. Për ta krahasuar me vitin e kaluar, numri i aksidenteve në trafik është rritur për 12.31 për qind. Dhe nëse e marrim këtë fakt për bazë, i bije që Kosova jo vetëm se është në tranzicion, por po lëvizë në drejtimin Perëndim – Lindje, edhe në këtë aspekt.
Një ditë, derisa po pija kafe në një nga lokalet e kryeqytetit, i dëgjoja disa të rijë duke diskutuar se dinë ta ngasin veturën dhe gjëja e vetme që u nevojitet për të dalë në rrugë, është patent-shoferi. Thoshin se i dinë të gjitha rregullat e komunikacionit dhe se nuk ka shumë filozofi që ata ta mësojnë ngasjen. Në fakt, nga biseda vërehej se bindja e tyre ishte se nuk kanë fare nevojë t’i mësojnë ato rregullat. Ata kishin gjetur rrugën se si ta zgjidhin këtë problem. Kishin dëgjuar se patent-shoferi po blihet me 400 euro, pa pasur nevojë fare të përgatiten për testet.
Pra kjo është një mundësi e lehtë të bëhesh shofer në Kosovë. Nëse ke para më shumë, kështu bëhesh edhe mjek, edhe ekonomist, madje edhe profesor fakulteti me titull doktor shkence!
Por, po kthehem edhe njëherë te ngjarja e asaj nate! Ai aksidenti që e pashë, që më ngjalli paksa ndjenjën e filmave fanta-shkencë dhe horror në të njëjtën kohë.
Mënyra se si erdhi furishëm ajo veturë dhe duke frenuar me vrull, në atë qetësi, sesi shoferi i saj gati sa nuk shkaktoi vdekjen vetvetes dhe personave tjerë përreth, më kujtoi filmat me “zombie”.
Termi “Zombie” del për herë të parë në etimologjinë haitiane, dhe shpjegon trillimin se si trupi i vdekur i njeriut ngjallet përmes magjisë dhe shndërrohet në një monstrum të pavdekshëm dhe vdekjeprurës. Por, në karakteret e filmave, këto krijesa paraqiten edhe në versione tjera, si trupa të vdekur që ngjallen, sillen të çekuilibruar, shkatërrojnë çdo gjë, vrasin njerëz dhe i infektojnë duke i kafshuar, për t’i shndërruar edhe ata në zombie përmes bartjes së virusit.
Një nga filmat e fundit me këtë lloj karakteri, më i famshëm, mund të jetë “World War Z” (Lufta Botërore Z). Lufta shfaqet kundër zombive dhe atyre që i krijuan. Nga pak vende ku fillon të përhapet virusi, ai më pas merr përmasa planetare, duke e infektuar njëri-tjetrin. Skena të frikshme shfaqen kryesisht nëpër vende urbane, ku edhe përqendrimi i njerëzve është i madh.
Skena të tilla si këto që po i shohim në rrugët e Kosovës, i shohim edhe në shumë filma të këtij zhanri që paraqesin rrezikun që i kanoset botës për t’u shkatërruar nga këso ide të trilluara. Mirëpo, duke pasur parasysh që shtëpitë filmike amerikane në Hollywood gjejnë skenaristë filmash që krijojnë edhe heronj, bota në këta filma, përkundër dëmeve të mëdha, arrin të mbijetojë, duke u falënderuar këtyre heronjve të trilluar.
Fatkeqësisht këto skenare filmash po ndodhin në jetën reale në Kosovë. Zombie po krijohen gjithandej, në rrugë e institucione, në çdo fshat e qytet të Kosovës. “Zombiet” (që mund të quhet edhe sinonim trupit të njeriut pa tru) po shkatërrojnë gjithçka. Njerëz me këtë virus po shkaktojnë dëme, viktima në komunikacion, në spitale, në shkolla e universitete! Edhe në mjete të komunikimit!
Në filmin “WWZ” problemi zgjidhet vetëm atëherë kur në një laborator gjendet vaksina për ta shëruar këtë lloj tërbimi. Ndërsa në Kosovë laboratori “ku është krijuar ky virus për vite të tëra” është Qeveria për vite e mandate të tëra nga paslufta, përfshirë të gjitha ministritë. Virusi është shpërndarë tash e disa vite përmes shkollimit të dobët, vlerësimit pa kritere, shpërndarje të diplomave, certifikatave, lejeve, duke kërkuar si kompensim vetëm paranë.
Zakonisht në filma kur gjendet personi që ka shpërndarë virusin, ose vritet, ose nëse kapet i gjallë, dënohet, por pasi që t’i merret antivirusi. Por në rastin tonë, që fatkeqësisht nuk është film, nuk e kemi gjetur as antivirusin dhe nuk kemi arritur ta kapim fajtorin. Aq më keq, duket që nuk jem as afër. Dhe më e keqja, nuk e kemi definuar as kush është heroi. Pra, jemi në minutat e parë të këtij “filmi” ose diku kah mesi, porse epilogu duket shumë larg.
Në Kosovë infektimi vazhdon! Deri tash një pjesë e të infektuarve depërtuan në Lindjen e Mesme për t’u bashkuar një kauze të të infektuarve me viruse të ngjashme nga vende tjera të botës. Disa të tjerë, duke kaluar ilegalisht nga “Zombie Land” (Kosova), shkuan në shtete perëndimore, por ndoshta jo me pretendimin për t’i infektuar banorët e atjeshëm. Atyre iu bashkuan një valë e re nga Lindja e Mesme të cilët duket se iu shmangen infektimit nga vendet e tyre (edhe pse nuk dihet saktë).
Pra në “filmin tonë” ngjarja vazhdon të jetë në minutat më interesante. Por, për të zgjidhur infeksionin, nuk mjafton vetëm dënimi i personit që shpiku këtë virus! Duhet ditur çfarë të bëjmë me të infektuarit. Aktualisht kjo çështje ende duket të jetë shumë delikate për t’u zgjidhur. Kështu që, deri atëherë, transicioni i Kosovës do të vazhdojë drejt Botës së Tretë. Si shoqëri, do të vazhdojmë të zvarritemi, të ruhemi nga zombie, ta ruajmë pjesën që ka mbetur e pa prekur nga virusi.