Kovaçevski jep dorëheqje nga drejtimi i LSDM-së

Dimitar Kovaçevski ka njoftuar të mërkurën për dorëheqjen nga pozita e kryetarit të partisë, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM). Para Këshillit të Përgjithshëm të LSDM-së, Kovaçevski e arsyetoi aktin e dorëheqjes me disfatën e thellë të partisë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare që u mbajtën më 8 maj. Kandidati i LSDM-së për president, Stevo…

Lajme

22/05/2024 23:20

Dimitar Kovaçevski ka njoftuar të mërkurën për dorëheqjen nga pozita e kryetarit të partisë, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM).

Para Këshillit të Përgjithshëm të LSDM-së, Kovaçevski e arsyetoi aktin e dorëheqjes me disfatën e thellë të partisë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare që u mbajtën më 8 maj.

Kandidati i LSDM-së për president, Stevo Pendarovski, u mposht nga Gordana Silanovska-Davkova nga VMRO DPMNE, me një dallim prej 300 mijë votash.

Edhe në zgjedhjet parlamentare, LSDM-ja pësoi disfatë të thellë duke arritur të marrë vetëm 18 mandate të deputetëve, kundrejt 58 sa fitoi VMRO-ja.

“Në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, LSDM-ja pësoi një disfatë, duke marrë një goditje të rëndë, jo vetëm nga qytetarët, por edhe nga simpatizantët, disa nga rryma brenda partisë, si dhe disa nga anëtarë të partisë të organizuar në një tjetër subjekt politik”, tha Kovaçevski duke kërkuar edhe nga drejtuesit e tjerë të lartë të partisë që të japin dorëheqje.

Kovaçevski kërkoi nga organet drejtuese të LSDM-së që të mbahet një kongres, në të cilin do të analizoheshin rezultatet e zgjedhjeve dhe më pas do të mbaheshin zgjedhjet brendapartiake për zgjedhjen e drejtuesve të rinj të kësaj partie.

Kovaçevski po ashtu ka qenë kryeministër i Maqedonisë së Veriut nga 16 janari i vitit 2022 deri më 25 janar të vitit 2024. /REL/