Kosumi, 10 vite përgatitje për “Zhanret e gazetarisë”
Sot në Bibliotekën Kombëtare është promovuar libri më i ri për studentët dhe studiuesit e gazetarisë, "Zhanret e Gazetarisë" nga autori Bajram Kosumi.
ShowBiz
Ky libër është fryt i punës dhjetë vjeçare, një libër praktik dhe teorik për studentët e gazetarisë. Është libër që tregon se si shkruhen tekstet gazetare prej lajmit e deri te tekstet ironike siç është kozeria. Sqarohet në detaje edhe teoria për ndarjen e zhanreve në informative, analitike, publicistike e argëtuese.
Bajram Kosumi, autor i librit “Zhanret e Gazetarisë”, ka treguar për të pranishmit se libri ka qenë gati për botim qysh në vitin 2012, por ka zgjatur deri tani për shkak të përmirësimeve. Kosumi theksoi se motivimi i botimit të librit kanë qenë studentët.
“Ky libër është i studentëve”, ka thënë ai.
Ndërsa Milazim Krasniqi, recenzent i librit, ka treguar se libri është botuar nga universiteti UBT dhe jo nga Universiteti Publik, dhe se ai është formësuar për nevoja direkte të studentëve.
“Ky libër i Kosumit është shkruar me dashuri sublime për studentë”, ka thënë ai. “Kjo që ka shkruar në parathënie nuk është një fjalë goje. Libri është fryt i komunikimit aktiv mes mësimdhënësit dhe studentëve të tij” ka theksuar Krasniqi.
Safet Zejnullahu, doktorant në Universitetin e Prishtinës, ka folur gjithashtu për librin e Kosumit, në emër të botuesit UBT.
“Libri i Kosumit, më i riu, më i kompletuari është një kontribut shtesë për studentët, institucionet ku studiohet gazetaria”, ka thënë Zejnullahu. “Kemi të bëjmë me një studim shterrues mbi zhanret e gazetarisë”, deklaroi ai.
Ndërkaq profesori Besim Abazi tha se në shkrimet e tyre trajtohet njeriu, ai është mbi të gjitha. “Profesor Kosumi e dijmë që është dëgjues i jashtëzakonshem. Ajo që ne u përpoqem ishte të gjejmë disa shembuj për ato që mund të shkruhen e më shumë edhe për ato që s’mund të shkruhen” ka thënë Abazi.
Për librin ka folur edhe Osman Gashi, i cili e ka bërë faqosjen e librit, si dhe studentë të gazetarisë, të cilët theksuan se janë me fat që kanë qenë pjesë e ligjëratave të tij. /Lajmi.net/



