Kosovo, një vendbanim në Keni, përplot ngjashmëri me Kosovën tonë

Një udhëtim fotografik dhe narrativ në Kosovo, një nga 13 fshatrat e regjionit Mathare të kryeqytetit të Kenisë, Najrobi. Edhe pse veç një fshat me 6 mijë banorë, “historia”e Kosovos në Kenia është pak a shumë e ngjashme me Kosovën, shtetin me afro 2 milionë banorë.

Lajme

08/09/2014 21:14

Ekzistojnë disa pretendime rreth prejardhjes së emrit Kosovë, por më e përfolura i referohet Dardanisë- emrit të vjetër të këtij regjioni si fushë e dardhave, ndërsa emri Kosovo i një fshati në thellësi të Kenisë nënkupton fushëbetejë kriminale.

Jo më shumë se para një dekade, Kosovo, në kryeqytetin kenian, dhe Kosova si shtet ballkanik, kanë qenë në qendër të raportimeve ndërkombëtare për dhunën dhe konfliktet.

Megjithatë, tash shteti me 2 milion banorë në Ballkan dhe fshati me 6 mijë banorë në Keni, pos emrit të njëjtë kanë edhe të tjera të përbashkëta.

Të dyja përballen me procesin e rimëkëmbjes dhe popullsinë e re në moshë, që tenton të mbijetojë.

Edhe pse zyrtarisht Kosovo dhe Kosova nuk kanë asnjë raport, shtetin që ende ka probleme me ujin dhe fshatin në Keni, që është bërë shembull suksesi në një projekt pilot ndërkombëtar për ujësjellës, i lidh një fotograf britanik, i cili nëpërmjet Gazetës Jeta në Kosovë sjell rrëfimin fotografik dhe narrativ.

Fotografi Richard John Seymour, që ka studiuar për fotografi dhe arkitekturë, ka qenë këtë vit në atë fshat për të xhiruar dokumentarin e shkurtër “Living With Water” (Të jetosh me ujë) e që shpërfaq suksesin e një pilot-projekti që fshatin Kosovo e ka bërë me ujë.

Dokumentari është publikuar në “BBC” më herët këtë vit, në kanalin televiziv ku fotografi 26 vjeçar ka punuar dikur, ndërsa autori ka qenë pjesë edhe e medieve “Forbes”, “Architectural Record”, “Dezeen” e “Arch Daily”.

Në një bisedë për Gazetën Jeta në Kosovë, ai tregon për përvojën e tij në Kosovo të Kenisë dhe të përbashkëtat e ngjarjeve të këtij fshati me ato të Kosovës.

Seymour ka bërë dhjetëra fotografi që i ka publikuar në blogun e tij personal nëpërmjet  cilave sjell rrëfimin për fshatit Kosovo.

Seymour e përshkruan fshatin Kosovo si një vendbanim që shtrihet përgjatë një rrjeti të ujërave të zeza me plot shtëpi-kasolle, pak blloqe dhe objekte komerciale e institucionale.

Por fshati Kosovo dallon prej fshatrave të tjera edhe për shkak të historisë së dhunshme.

“Para vitit 2007, Kosovo ishte nën kontrollin e bandës Mungiki, e konsideruar si një nga bandat më të rrezikshme dhe agresive në Keni”, thotë Seymour.

Mungiki është një sekt dhe organizatë etnike në që në shqip i bie “njerëzit e bashkuar” që luftojnë kundër qeverisë keniane për rikthimin e traditave të jetesës. Në nëntor të vitit 2007 ka filluar gjykimi për prijësit e bandës nga Tribunali i Hagës për vrasjen e mbi 1 mijë vetave.

Kosovo është pavarësuar nga lidhjet me këtë bandë në qershor të vitit 2008, disa muaj pasi Kosova kishte shpallë pavarësinë e saj nga Serbia.

Gjatë kësaj periudhe, sipas Seymour, fshati u dallua si një vend jashtëzakonisht i dhunshëm dhe në fakt emri Kosovo vjen si sinonim i luftës.

“Kësisoj ky fshat është bërë shumë i famshëm në raportimet ndërkombëtare si një rajon i luftës dhe i dhunshëm. Por në fakt nuk është ashtu”, thotë Seymour.

“The New York Times” e ka quajtur masakër veprimtarinë e bandës Mungiki, ndërsa BBC-ja ka pasur edhe reporter në zonën e kryeqytetit kenian, aty ku ka qenë i fokusuar aktiviteti i bandës.

Kryeministri kenian, Raila Odinga e kishte quajtur bandën si grupimin më të rrezikshëm kriminal në Keni dhe në rastin e largimit të bandës Mungiki nga fshati Kosovo kishte angazhuar mbi 5 mijë ushtarë.

Megjithatë, edhe pse konflikti ka mbaruar në Kosovo, ky fshat ende përmendet si i rrezikshëm në raportimet ndërkombëtare, shpjegon Seymour.

Kjo është një e përbashkët me imazhin e Kosovës, shtetit që përkundër faktit se ka 15 vjet që ka dalë nga lufta, në lajmet ndërkombëtare ende është zonë e rrezikshme në Ballkan.

Fotografi britanik tregon se si prej dëbimit të bandës Mungiki dhe zbatimit të projektit ndërkombëtar të projektit të ujit, popullsia e fshatit është rritur e bashkë me të edhe interesimi i komunitetit ndërkombëtarë për këtë rajon.

“Veçse në këtë fshat nuk ka pasur bombardime të NATO-s, e as ndihma aq të mëdha mesa arrita të kuptoj nga lajmet që lexova shpejt e shpejt”, thotë ai.

Sipas tij, edhe pse mediet ndërkombëtare raportojnë për këtë vend si një fshat i varfër, plot me dhunë, kaotik dhe të mbushur me gangsterë, në fakt ky vend përçon energji të mirë dhe njerëzit janë jashtëzakonisht interesantë.

“Kosovo sot ka rreth 2,800 familje dhe është e njohur për sigurinë-pra, mungesën e dhunës dhe mungesën e konflikteve të tjera tradicionale, pasi fshati ka funksionuar edhe me rregulla joligjore”, thotë ai.

“Nëse më duhet të krijoj lidhje mes Kosovo dhe Kosovës në Ballkan, sa i përket traditave, edhe në Keni ka fshatra sikur Kosovo që funksionojnë sikur ju, me tradita”, thotë Seymour.

Fshati Kosovo është i vendosur në veri-perëndim të Mathares dhe shtrihet pranë një lumi 700 metra të gjatë, aty ku është Spitali Mental dhe Zyra e Policisë, ndërsa popullsia e këtij vendbanimi thotë se është më e lashta në rajonin e Afrikës.

Ashtu sikurse shqiptarët që pretendojnë të jenë më të lashtët në Evropë.

“Në fakt, po fillon të bëhet interesante kjo lidhje mes dy Kosovave”, thotë Seymour në një bisedë me “Skype”.

Seymour e përshkruan këtë fshat si njërin prej vendbanimeve më të hareshme, përkundër varfërisë dhe krimit që shtohet çdo ditë.

“Në Kosovo nuk dëgjon tinguj të motorëve e as të makinave, por në vend të tyre dëgjon zëra njerëzish që bisedojnë mes vete ose duke luajtur muzikë”, shpjegon Seymour.

“Por kam përshtypjen se në Kosovën e Ballkanit ka shumë vetura”, shton ai.

Edhe pse ka mungesë të caktuar infrastrukturore dhe politike, Kosovo ka arritur të tregojë se mund të jetë një storie e suksesit, pikë së pari duke nisur e përfunduar brenda një viti, projektin që u siguron atyre ujë të pijshëm.

Fakti që në Kosovo ka shumë popullatë të re, sipas fotografit britanik lindin ide dhe lëvizje urbane, por ka edhe lëvizje të çuditshme sikurse hartimi i strategjive për mbijetesë dhe durim që grumbullon një grup të madh njerëzish.

“Më duket se edhe Kosova ka një popullsi tepër të re krahasuar me vendet e tjera dhe me siguri ekziston energjia e njëjtë. Pesimizëm i përzier me lumturi”, thotë Seymour.

Kosovo ka një histori të trishtë që bëhet tragjike në vitin 2000, kur të gjithë banorët këanduru ishin dëbuar nga tokat e tyre nga qeveria.

“Kësisoj banorët e këtij fshati tentojnë të mbajnë gjallë identitetin e tyre nacional si këanduru dhe ata kohëve të fundit po duan që të bashkohen me një fshat tjetër ku ende ka banorë të atij nacionaliteti”, thotë Seymour.

“Më duket se edhe shqiptarët në Kosovë duan bashkim me Shqipërinë” , shton ai.

Ka edhe një të përbashkët mes Kosovos në Keni dhe Kosovës në Ballkan.

Tek në fund të vitit 2007 atje ka filluar të funksionojë pilot-projekti për gjenerim të ujit të pijshëm dhe shtrimi i rrugëve, por ka pasur shumë probleme me shpronësim.

Kur autoritet kosovare filluan të ndërtonin autostradë nëpër qytete të ndryshme, shpronësimi ka qenë problem i madh.

“Më duket sikur krejt ky muhabet mes dy Kosovave po bëhet i çuditshëm. Dhe po komplikohet paksa, sepse nuk po dihet për cilën Kosovë po flasim”, thotë Seymour. (Jeta në Kosovë)