Kosovës, t’i hiqet njolla!

8:14 | 26 Qershor 2015

Foto nga: Arben Rugova

Sot duhet lënë menjanë interesin individual e partiak. Duhet të votoni “për” ose “kundër” gjykatës, e cila do të shqyrtojë akuzat për krime lufte që pretendohet të jenë kryer nga ish-pjesëtarë të UÇK-së. Ju deputetë, kjo është dita kur duhet ta dinë, a është PO apo JO, vota në mbrojtje të interesit nacional e shtetëror.

Sot, Kuvendi i Kosovës do të përballet me një nga sfidat më të rënda që prej themelimit të tij – kërkesën për ndryshimet kushtetuese, me qëllim që t’i hapet rruga ligjore themelimit të asaj që tashmë e kemi titulluar si Gjykatë Speciale. Kjo gjykatë, e cila do të merret me shqyrtimin e akuzave për krime lufte, e që pretendohet të jenë kryer nga disa ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka përçarë jo vetëm partitë politike, por si rrjedhojë edhe analistët, organizatat joqeveritare dhe opinionin e gjerë në vend.

Para zgjedhjeve të qershorit të vitit të kaluar nuk është pritur të ketë përçarje të këtillë rreth kësaj gjykate, por “ndarja e kulaçit” pas ngërçit politik (rreshtimi i partive për të mos krijuar koalicion me partinë fituese të zgjedhjeve – Partinë Demokratike të Kosovës; përçarja e Bllokut opozitar dhe formimi i koalicionit qeverisës PDK-LDK), ka sjellë risi në interpretimin dhe gjykimin e çështjeve politike me rëndësi nacionale. Tashti, qëndrimi “pro” Specialës – i pozitës, dhe ai “kundër”  – i opozitës, vetëm sa e ka shtuar mjegullën mbi Kosovë.

Nëse paragjykojmë se cila nga partitë politike do të preket më së shumti nga Gjyjkata Speciale (që përflitet se do të ngrehë aktakuza për krime lufte ndaj dhjetë ish pjesëtarë të UÇK-së, disa prej të cilëve thuhet se janë zyrtarë të lartë të partive politike), atëherë aludojmë se cak kryesor do të jetë Partia Demokratike e Kosovës, dhe më pas vjen Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, si dhe Nisma për Kosovën. Dhe pasi pikërisht PDK-ja si partia më e madhe në vend, dhe LDK-ja si parti e dytë, përkrahin themelimin e Specialës, atëherë  ka të ngjarë se përkundër dëmit individual e partiak, PO-ja e tyre kësaj radhe është votë për Kosovën.

Në kampin tjetër, asnjë nga partitë që e kundërshtojnë themelimin e Gjykatës Speciale nuk ka dalë me argumente të qarta se përpse do të votojë “JO”, gjë që ka lënë të kuptohet se me këtë vendim, ato mbajnë inatin e zhvillimeve pas zgjedhjeve të fundit nacionale, si dhe përpiqën të thithin elektoratin e hutuar dhe të pakënaqur me themelimin e Gjykatës Speciale. Dhe ajo që e bënë këtë vendim të opozitës edhe më të dyshimtë, dhe që e forcon dyshimin se kësaj radhe partitë kundër Specialës e kanë si prioritet interesin partiak, është shpërfillja e lutjeve njevjeçare që miqtë e Kosovës iu kanë bërë institucioneve tona që të themelojnë këtë gjykatë. Sepse, në të kundërtën, sipas miqve tanë, Specialja do të formohet me kërkesën e Rusisë, nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, dhe se do të jetë edhe më dëmtuese për imazhin dhe zhvillimet në Kosovë.

Është Serbia ajo që ka bërë krime, gjenocid në Kosovë, jo vetëm më 1998-1999! Prandaj, kjo gjykatë nuk është e mirëseardhur për shqiptarët e Kosovës, por po ashtu dihet se mbi neve ka rënë një njollë e keqe që duhet hequr. Akuzat e rënda të Dick Martyt e kanë dëmtuar imazhin e Kosovës, edhe pse shumica e tyre, pa mëdyshje, janë të fabrikuara në kuzhinat e Beogradit. Por disa prej këtyre akuzave janë pranuar nga prokurori Clint Williamson, si mundësi për ngritje aktakuzash dhe shqyrtim nga Gjykata Speciale. Tashti dikush duhet të mirret me shqyrtimin e tyre! Edhe ashtu nuk kemi gjë për të fshehur!

Të rënda ishin akuzat edhe për ish-pjesëtarët e UÇK-së që u gjykuan në Hagë nga Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte, por u shpallën të pafajshëm, duke dëshmuar pastërtinë e luftës që është bërë për çlirimin e Kosovës nga Serbia.

Themeilimi i Gjykatës Speciale do të sjellë edhe të mira, dhe në një kohë afatshkurtër do të forcojë sovranitetin e Kosovës në tërë territorin e saj (sepse ka njëfarë lidhje, sepse nuk do të mungojë mbështetja e miqve …).  Por, duhet thënë po ashtu se kjo gjykatë është pasojë e mosdijes dhe papërgjegjësisë së klasës sonë politike, e sistemit tonë të drejtësisë të ndërtuar nga kjo klasë, dhe natyrisht, tashti themelimi i saj cenon paksa kushtetuetshmerinë e Republikës së Kosovës. Mirëpo kjo nuk është hera e parë dhe ndoshta as e fundit, pasi Kushtetuta vazhdon të cenohet në veri dhe ndonjëherë shkelet edhe në Prishtinë.

Sidoqoftë, nuk do të kalojë shumë kohë dhe do ta kuptojmë të gjithë se çka do të përifotojë Kosova nga votimi ose mosvotimi i kësaj gjykate. Edhe mikut mund t’i thuhet JO, por nuk duhet harruar se kësaj radhe nuk bëhet fjalë për shkatërrimin e armëve kimike siriane. Edhe pse, vlerësoj se edhe atëherë shqiptarët u ngutën paksa. Kësaj radhe, deputetët e Kosovës përpara se të votojnë, duhet t’iu përgjigjen në heshtje edhe këtyre dy pyetjeve. A ka ndonjë shtet aletat, mik më të sinqertë dhe më të fortë të shqiptarëve, të Kosovës, sesa që janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës? A shihni ndonjë interes të ngusht, apo strategji të amerikanëve, të cilët po përpiqen të përfitojnë nga themelimi i kësaj gjykate, dhe ta nxjerrin si humbëse Republikën e Kosovës?