Kosovës i nevojitet shkallë më e lartë e rritjes ekonomike

Edhe pse Kosova vitin e kaluar e ka përmbyllur me një rritje ekonomike prej rreth 3.3 për qind, ajo bën pjesë në mesin e shteteve me papunësinë dhe varfërinë më të madhe në Evropë.

Lajme

20/05/2015 18:16

Kështu u tha në një tryezë të organizuar nga Universiteti AAB, në të cilën u shpreh bindja se viti 2015 do të jetë vit stabilizues për Kosovën.

Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi tha se qeveria e re e ka hartuar për herë të parë programin për reformat ekonomike. Sipas tij, 2015-a do të jetë vit stabilizues me rritje ekonomike rreth 3.3 për qind, ndërsa indikatorët për këtë rritje do jenë konsumi, diaspora (remitencat) dhe eksporti.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se Kosova vazhdon të jetë vendi më i varfër dhe me papunësinë më të madhe në Evropë.

“Nëse i shohim statistikat kryesore për popullatën, 50% më të rinj se 25 vjet, 70% më të rinj se 35 vjet, me një treg të punës të cilit i shtohen diku 25 mijë njerëz për çdo vit, atëherë si mund të ndodhë që ne jemi sot vendi me papunësinë më të madhe në Evropë. Edhe me varfërinë gati se në vendin e parë në Evropë, ku ‘shtyhemi’ me Moldavinë”, tha Ahmeti.

Ai shtoi se si shtet po shpenzojmë më shumë sesa që kemi kapacitet, duke kërkuar nga Qeveria që të ndajë më shumë buxhet për sektorin e bujqësisë, pasi që është ndër sektorët e paktë në vend që mund të kontribuojë në zhvillimin ekonomik.

Deputeti i PDK-së, Besim Beqaj tha se Kosova ka 60 mijë ndërmarrje taksapaguese.

“60 mijë ndërmarrje janë taksapagues në Kosovë, e di mirë sepse kam qenë ministër I Financave për gati dy vite dhe mesataren që e kemi nxjerrë ne të punësimit, janë diku rreth 8 të punësuar për një ndërmarrje, që i bie të jenë diku 500 mijë njerëz të punësuar, por një pjesë e madhe e tyre janë në tregun joformal… po të ishte papunësia 45% nuk do të mund të dilnim në rrugë. Papunësia në Kosovë, konform edhe ekonomisë joformale të cilën e kemi ndërmarrë vitin e kaluar në sistemet e Bashkimit Evropian, ka dalë 31%, nëse e konsiderojmë që janë edhe mjetet e diasporës, dërgesat që na vijnë, nëse i konsiderojmë ato që janë mjete të cilat janë të pa futura në sistem , sepse janë dërgesa private”, tha Beqaj.

Ndërsa Agim Shahini, drejtor i Aleancës Kosovare të Biznesit, kundërshtoi të pranishmit, duke thënë se hulumtimet tregojnë që Kosova nuk qëndron aspak mirë në trendin e ndërmarrësisë.

“Sipas Aleancës Kosovare të Biznesit dhe hulumtimeve që ne vazhdimisht i publikojmë, trendi i ndërmarrësisë në Kosovë nuk është i mirë. Rritja ekonomike është e pamjaftueshme dhe sipas hulumtimit që ne e kemi bërë, në vitin e kaluar ka pasur rritje të punësimit vetëm 2.78%, dhe këtë e vërteton edhe Enti i Statistikave, prandaj nuk duhet të kënaqemi që kemi një qëndrueshmëri ekonomike dhe financiare”, tha Shahini.

Ai po ashtu tha se nëse rritja ekonomike do të ishte e kënaqshme, nuk do të kishim mbi 100 mijë qytetarë të ikur nga Kosova./Kosovapress/